Konferenca për shtyp para ndeshjes së dytë me Qarabağ FK

Kuqezinjtë të martën në Baku ndeshen me kampionin e Azerbajxhanit, Qarabağ FK, ndërsa në konferencën për shtyp para ndeshjes folën trajneri Beqiri dhe mesfushori Qaka.

• Beqiri: Ne në këtë ndeshje nuk kemi çfarë të humbim pas rezultatit në ndeshjen e parë

• Qaka: Do të bëjmë një ndeshje të fortë përballë një kundërshtari shumë të fortë 

• Beqiri: Duhet të shënojmë disa nga rastet e krijuara, pastaj gjithçka është e mundur

• Qaka: Do të jetë shumë sfidë e vështirë, por ne do të shkojmë për rezultat pozitiv

Tjetër mbrëmje për histori evropiane të kuqezinjëve sjell e marta. Shkëndija në Baku ndaj Qarabağ FK luan aktin e dytë të raundit të tretë eliminator të Ligës së Kampionëve. Ndeshjen e parë e humbëm 1:0 dhe për të kaluar duhet sforco e madhe dhe përmbysje të negativës. 

Ndeshja luhet nga ora 18:00 (sipas kohës lokale në vendin tonë) në stadiumin “Tofiq Bahramov” në Baku të Azerbajxhanit. 

Jeton Beqiri: “Është shumë e rëndësishme që të kuptojmë se ne në këtë ndeshje nuk kemi situatën se çfarë do të humbim nga ndeshja e parë, për shkak se ne kemi humbur atë. Është e rëndësishme që të futemi në lojë dhe të provojmë gjithçka për gjithçka. Të jemi një skuadër e organizuar, skuadër e cila do të jetë agresive në sulm, normalisht edhe do të mbrohet mirë dhe është e rëndësishme që disa nga ato rastet e krijuara, të shënojmë dhe pastaj në futboll gjithçka është e mundur, unë kam shumë shpresë se do të bëjmë një paraqitje të mirë dhe shpresoj që ne të jemi skuadra që do të gëzohet në fund”.

Kamer Qaka: “Presim një ndeshje të vështirë, por kemi shpresa të mira për lojën. Do të bëjmë një ndeshje të fortë përballë një kundërshtari shumë të fortë dhe don Zoti dalim me fitore”.

Jeton Beqiri: “Mendoj që në ndeshjen e parë nuk e kishim freskinë e duhur fizike sa i përket skuadrës normalisht dhe në këtë aspekt ekipi i Qarabag ishte shumë më mirë, veçanarisht në pjesën e parë. Besoj që një nga faktorët që vendosën në ndeshjen e parë, ishte edhe goli i pranuar nga ana jonë, ishte një gol aksidental dhe pastaj ekipet e mira dijnë ti shfrytëzojnë rastet, ku patën edhe disa raste tjera për të na ndëshkuar, por edhe ne patëm rastet tona që nuk arritëm ti shfrytëzojmë”.

Kamer Qaka: “Nuk kam asnjë lojtar të preferuar. Është një lojë ekipore dhe është skuadër shumë e fortë. Ne hyjmë në lojë për të fituar ndeshjen. Kështu mendojmë të gjithë lojtarët jo vetëm unë. Por, do të jetë shumë sfidë e vështirë, por ne do të shkojmë për rezultat pozitiv”.

Jeton Beqiri: “Ne nuk u paraqitëm mirë në pjesën e parë në ndeshjen në Shkup. Besoj që edhe ajo që përmenda më herët, freskia fizike kishte ndikimin e vet, por e rëndësishme është që rezultati ende është aktiv dhe ne kemi shpresë se këtu do të luajmë më mirë, kemi shpresë se do të bëjmë një ndeshje të madhe dhe besoj që ne do të jemi ata që në disa momente do ta rrezikojmë Qarabag-un, për shkak se presioni psikologjik nuk do të jetë në anën tonë dhe ne do të tentojmë të fitojmë dhe normal të kualifikohemi”.

Share

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

go top