
Portieri Baboucarr Gaye analizon fazën finale të kampionatit dhe sfidën e xhiros së 29-të të LPFMV, ku Shkëndija pret të hënën skuadrën e Bashkimit në Tetovë.
• Gaye: Hymë në çdo ndeshje me besim dhe me dëshirën 100% për të fituar
• Gaye: Kujdes maksimal ndaj Bashkimit, ekipet që luftojnë për mbijetesë janë shumë të rrezikshme
• Gaye: Suksesi i ekipit është mbi gjithçka, synimi im është t’i fitojmë “të dy” trofetë
Përballja e xhiros së 29-të e Ligës së Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut ndërmjet Shkëndijës dhe Bashkimit luhet të hënën në stadiumin e qytetit në Tetovë me fillim në orën 16:00.
…mentaliteti para 5 finaleve të fundit…
Baboucarr Gaye: “Ndihem shumë me besim. Për mua personalisht është shumë e rëndësishme të fitoj trofe me këtë klub dhe po japim maksimumin për ta arritur këtë. Unë urrej të pësoj gola, qoftë në miqësore apo në ndeshjen më të rëndësishme, dhe këtë mentalitet po e ndjek gjithë ekipi. Duhet të fokusohemi javë pas jave që ta mbyllim sezonin me sukses të plotë.”
…analiza për Bashkimin…
Baboucarr Gaye: “Duhet ta marrim këtë ndeshje shumë seriozisht. Ndeshjet më të rrezikshme janë pikërisht kundër ekipeve që luftojnë për mbijetesë, pasi ato gjejnë fuqi rezervë që as nuk e dinin se i kishin. Ne duhet të jemi të fokusuar te vetja që nga sekonda e parë, të mos lejojmë asnjë gabim dhe të kontrollojmë lojën në shtëpinë tonë, duke mos i lënë asgjë rastësisë.”
…ndeshja pa pësuar gol (clean sheet)…
Baboucarr Gaye: “Si portier, sigurisht që i dashuroj ndeshjet pa pësuar gol dhe do të preferoja një fitore 1:0 sesa 5:1. Jam shumë vetëkritik nëse pësojmë, por në fund të fundit suksesi i ekipit është mbi gjithçka. Nëse fitojmë ligën duke pësuar gola, do ta pranoja këtë para një barazimi 0:0 që nuk na çon te suksesi.”
…përvoja dhe roli në ekip…
Baboucarr Gaye: “Si një lojtar me përvojë, përpiqem të sjell qetësi në grup dhe të sigurohem që të gjithë janë në fokusin e duhur. Çdo seancë stërvitore duhet parë si gjëja më e rëndësishme e ditës. Përpiqem të jem shembull çdo ditë, si brenda ashtu edhe jashtë fushës, në mënyrë që i gjithë ekipi të ketë mentalitetin e duhur drejt fitores.”
…synimet për trofetë…
Baboucarr Gaye: “Pyetjes se a fiton Shkëndija Kupën apo kampionatin, unë i përgjigjem në shqip: ‘Të dyja’. Ky është objektivi ynë i vetëm.”

