
Trajneri Jeton Beqiri dhe mesfushori Arbin Zejnullai kanë prezantuar pritshmëritë e taborrit kuqezi para finales së madhe të Kupës së Maqedonisë së Veriut të mërkurën ndaj Sileksit.
Beqiri: Kthehemi në finale pas 8 vitesh, do të bëjmë çmos që trofeu të çojmë në Tetovë
Zejnullai: Një ndeshje e rëndësishme për ne, synojmë ta mbyllim sezonin me sukses
Beqiri: Sileksi ka respektin tonë, por Shkëndija gjithmonë luan futboll ofensiv dhe për fitore
Ndeshja finale e Kupës së Maqedonisë së Veriut ndërmjet Sileksit dhe Shkëndijës luhet të mërkurën në Arena “Todor Proeski” në Shkup me fillim në orën 20:00.
…finalja…
Jeton Beqiri: “Kemi një respekt të veçantë për Sileksin, pasi është një skuadër që ka treguar stabilitet dhe cilësi në vitet e fundit. Megjithatë, ne si Shkëndijë jemi të motivuar maksimalisht. Gjendemi në finale pas 8 viteve dhe do të bëjmë çmos që në fund të ndeshjes të jemi ne ata që do të gëzohemi dhe do të festojmë së bashku me tifozët tanë.”
…nga këndi i kapitenit…
Arbin Zejnullai: “Shkëndija gjithmonë në fillim të sezonit luan për tre objektiva, Europën, kampionatin dhe Kupën. Në Europë bëmë paraqitje spektakolare, në kampionat ishim në garë deri në momentet e fundit, ndërsa nesër kemi finalen e madhe. Për ne si klub, si qytet dhe si tifozëri, kjo është një ndeshje jashtëzakonisht e rëndësishme. Do të japim gjithçka nga vetja për ta fituar këtë ndeshje dhe për ta marrë këtë trofe.”
…mungesat dhe gatishmëria e grupit…
Jeton Beqiri: “Për këtë përballje do të kemi dy mungesa të theksuara. Për shkak të lëndimit do të mungojë kapiteni Besart Ibraimi, ndërsa për shkak të kartonit të kuq të marrë në gjysmëfinale ndaj Shkëndijës së Haraçinës, jashtë mbetet edhe Ronaldo Webster. Sidoqoftë, Shkëndija ka lojtarë cilësorë. Kushdo që do të zbresë në fushë nesër do të japë 100%-shin dhe do të bëjë një paraqitje të pozitive, ashtu siç kemi bërë gjithmonë në këtë stadium.”
…filozofia e lojës…
Jeton Beqiri: “Ndeshjet e kaluara apo rezultatet në kampionat nuk do të jenë matës për nesër, sepse finalja ka një motivim krejtësisht tjetër. Ne gjithmonë aplikojmë një futboll të bukur dhe ofensiv, qoftë në kampionat, Kupë apo Europë. Presioni i vetëm mbi ne është dëshira e madhe për t’i sjellë Shkëndijës edhe një trofe dhe për t’i gëzuar tifozët tanë.”

