
Shkëndijë fantastike, mund 2:1 FCSB-në në Bukuresht dhe me rezultat të përgjithshëm 3:1 kalojnë në raundin e tretë eliminator të UEFA Champions League. Latifi (33’) dhe Kërstevski (88’) shënuan për të bërë të pavlefshëm golin e Tschisottit (28’). Pas ndeshjes trajneri Beqiri dukshëm i kënaqur me arritjen historike dhe sigurimin e pjesëmarrjes në fazën e grupeve në Europë.
…kualifikimi…
Jeton Beqiri: “Ishte një ndeshje me shumë emocione, por unë gjatë gjithë javës punoja me futbollistët që nëse do të arrijmë që të kemi besim, guxim dhe të mendojmë që mund të fitojmë këtu, vetëm në atë mënyrë kishim mundësi të kualifikoheshim dhe e dija që do të kemi raste tona, ku për fat të mirë ne i shfrytëzuam ato dhe jemi në xhiron e radhës të Champions League. Kjo do të thotë se është një sukses i përbashkët, i gjithë klubit, duke filluar nga pronarët që për disa vite investojnë pa u ndalur, pastaj kryesia e klubit, gjithë administra, futbollistët dhe tifozët që dua ti falenderojë për përkrahjen e sotme në Bukuresht.”
…provokimet e vendasve…
Jeton Beqiri: “Unë jam ashtu i ndërtuar që të respektoj çdo skuadër, jo vetëm ekipet e Ligës Dytë rumune, por edhe të Ligës së Tretë. Futbolli gjithmonë luhet në fushë dhe jo në deklarata. Në futboll nuk e bëjnë dallimin, milionat apo eurot, në futboll në momente të veçanta e bën dallimin ajo se me çfarë pasioni dhe me çfarë zemre je duke luajtur për momentin.”



…oponenti i radhës…
Jeton Beqiri: “Duhet të respektojmë patjetër edhe kundërshtarin e radhës që është ekipi i Qarabagut. Është një ekip shumë serioz dhe shumë i organizuar njejtë si ishte edhe Steaua. Për mua dhe futbollistët e mi e rëndësishme është se ne të japim maksimumin, të respektojmë fanellën që bartim, pastaj t’ia lëmë fushës të tregojë rezultatin.”
…provokimet e vendasve…
Jeton Beqiri: “Ju mendoni se Steaua është në një krizë, unë mendoj dhe kam dyshime se Steaua a është në krizë apo ne jemi në moment të mirë, që do të thotë nga të dyja ka diçka. Ndërkohë, sa i përket pyetjes se a kam ndjerë arrogancë nga ana e klubit kundërshtar me deklaratat e presidentit e të tjerëve, unë thjesht nuk do të doja të merrem me këtë, pasi unë merrem vetëm me ekipin dhe besoj që Steaua e mori përgjigjën në fushë nga të dyja ndeshjet, teksa pastaj deklarata në media mund të japim sa të duam.”
…paraqitja…
Jeton Beqiri: “Unë jam i kënaqur me kualifikimin, por të them të drejtën me lojën nuk jam i kënaqur. Në disa momente të pjesës së parë kishim disa pengesa në organizim, kishim edhe një ngërç psikologjik, ndoshta edhe respekti i madh për kundërshtarin, ndoshta edhe për shkak të ambientit apo tifozëve, gjithçka ishte e pranishme. Unë jam tipi që nuk kënaqem sa i përket lojës, por jemi në momente kur duhet të marrim rezultatin dhe kur merr rezultatin, ndoshta arsyetohet gjithçka. Tani, të shpresojmë për ndeshje tjera që të përmirësojmë sigurinë dhe lojën. Besoj që me sigurimin e grupeve në Ligën e Konferencës, presioni tek futbollistët do të jetë më i ulët dhe mund të jemi edhe më të rrezikshëm.”
…”Ballistët”…
Jeton Beqiri: “Mendoj se ”Ballistët” janë tifozët më të mirë në botë. Tifozë që në asnjë moment nuk lënë ekipin vetëm. Një falenderim i veçant, një respekt i madh. Dhe përveç “Ballistëve” kishte edhe tifozë tjerë që kishin ardhur personalisht nga Tetova dhe Maqedonia, një respekt i jashtëzakonshëm edhe për ata. Unë mendoj se Shkëndija është një binom i pandashëm me “Ballistët” dhe besoj se ata janë një frymë shumë e fuqishme, e cila neve na shtynë përpara.”

