
Mbrojtësi kuqezi u paraqit me Shqipërinë në fitoren ndaj Jordanisë dhe ishte në bankinë ndaj Serbisë. Meliqi shënon gol ndaj Malit te Zi U21.
Pushimi i kampionatit për shkak të ndeshjeve ndërkombëtare ka sjellë angazhime të rëndësishme për disa futbollistë të Shkëndijës me ekipet e tyre përfaqësuese.
Klisman Cake ka regjistruar debutimin e tij zyrtar me kombëtaren e Shqipërisë, duke u paraqitur në mënyrë dinjitoze në fitoren 4:2 ndaj Jordanisë. Mbrojtësi kuqezi hyri në lojë në fillim të pjesës së dytë në vend të kapitenit Berat Gjimshiti, duke lënë përshtypje shumë pozitive. Ai ishte gjithashtu në bankinë në triumfin historik të Shqipërisë 1:0 në transfertën ndaj Serbisë.
Ndërkohë, Anes Meliqi ka shkëlqyer me Maqedoninë e Veriut U21, duke realizuar me kokë golin e epërsisë 1:0 në ndeshjen miqësore ndaj Malit të Zi, që përfundoi 3:2 për vendasit. Meliqi ishte titullar edhe në duelin e parë në Manastir, ku Maqedonia e Veriut U21 mposhti Armeninë me rezultat 2:1. Numan Ajeti ishte pjesë e skuadrës në të dyja ndeshjet, duke qëndruar në bankinë.
Reshat Ramadani ishte pjesë e grumbullimit të kombëtares A të Maqedonisë së Veriut për përballjet me Belgjikën dhe Kazakistanin.
Në kontinentin afrikan, Baboucar Gaye ishte titullar për Gambian në humbjen dramatike 3:4 ndaj Gabonit, ndërsa në ndeshjen e dytë, fitoren bindëse 7:0 në transfertë kundër Seychelles, qëndroi në bankinë.
Nazif Ceka ishte pjesë e përfaqësueses U19 të Maqedonisë së Veriut në dy ndeshjet kontrolluese me Malin e Zi në transfertë (barazim 0:0 dhe fitore 4:2).

