KF Shkëndija dhe Universiteti i Tetovës firmosin Memorandum Bashkëpunimi 

KF Shkëndija dhe Universiteti i Tetovës kanë nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi duke krijuar kështu një kornizë të përbashkët për zhvillimin e sportit, për kërkimin shkencor, edukimin profesional si dhe për mbështetjen e ndërsjellë të studentëve e sportistëve.

Përmes kësaj marrëveshje tashmë është formalizuar një bashkëpunim i ri institucional, me synim lidhjen e ngushtë mes sportit, arsimit dhe shkencës duke krijuar mundësi konkrete për zhvillimin dhe avansimin e të rinjve në përgjithësi.

Ky memorandum u nënshkrua në hapësirat e Universitetit të Tetovës mes Drejtori Ekzekutiv të KF Shkëndija, Valdrin Uka, dhe Rektorit të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti. 

Marrëveshja përfshin bashkëpunim në një sërë fushash, duke nisur nga praktika profesionale e studentëve pranë strukturave të klubit, deri te ligjëratat, seminaret dhe aktivitetet praktike me ekspertë të të dyja palëve.

Një nga objektivat e marrëveshjes është edhe kërkimi shkencor dhe testimet sportive, ku kapacitetet akademike dhe laboratorike të Universitetit të Tetovës mund të kontribuojnë në monitorimin dhe zhvillimin e performancës së futbollistëve, përgatitjes fizike, rikuperimit dhe metodologjive bashkëkohore të stërvitjes.

Bashkëpunimi gjithashtu do të ofrojë mundësi për projekte të përbashkëta vendore dhe ndërkombëtare, përfshirë Erasmus + Sport, si dhe do t’i hapë rrugë organizimit të konferencave dhe aktiviteteve sportive, si dhe do t’u japë mbështetje futbollistëve të rinj të Shkëndijës në ndjekjen e studimeve universitare përmes konceptit të karrierës së dyfishtë.

Ky Memorandum mes dy institucioneve tona paraqet bazë solide për iniciativa dhe projekte të reja që fokusohen te zhvillimi i sportit, te ngritja e nivelit të dijes dhe në përgjithësi, te zhvillimi dhe edukimi i gjeneratave të reja.

Share

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

go top