
Ky triumf fiton edhe më shumë kuptim kur shohim pjesëmarrjen e futbollistëve të rritur në Shkollën e Futbollit Shkëndija, ku skuadra kishte në përbërje plot shtatë futbollistë të rritur në akademinë e klubit.
Duke qenë se skuadra e parë ndodhet në pushimin e merituar para startit të përgatitjeve për pjesëmarrjen në eliminatoret e UEFA Champions League, rikujtojmë edhe një herë suksesin e arritur në sezonin e posa mbyllur 20024/2025, titullin e pestë kampion në histori.
Ky triumf fiton edhe më shumë kuptim kur shohim pjesëmarrjen dhe kontributin e futbollistëve të rritur në Shkollën e Futbollit Shkëndija. Një filozofi që klubi ynë e ka ndjekur me përkushtim dhe rezultate konkrete.

Në sezonin kampion, skuadra e parë ka pasur në përbërje plot shtatë futbollistë të rritur në akademinë e klubit (flasim për gjeneratën më të re): Astrit Amzai, Anes Meliqi, Amir Nuhija, Reshat Ramadani, Florent Ramadani, Fiton Ademi dhe Lorik Jakupi. Përveç tyre, pa harruar emrat e dalë në të shkuarën, vitet e fundit vlen të ceken edhe emra si Dashmir Elezi dhe Memetriza Hamza, që aktualisht luajnë për klube të tjera, por janë produkte të shkollës sonë që e kanë respektuar fanellën dhe i kanë dhënë klubit krenari.
Shkolla e futbollit ku investimi dhe përkushtimi nuk kanë munguar, vazhdon punën pa ndërprerje, duke përgatitur ciklin e ri të talenteve që pritet të përfaqësojnë skuadrën e parë në vitet që vijnë.
“Jemi krenarë që në këtë periudhë 6-vjeçare kemi arritur të kontribuojmë me shumë futbollistë për ekipin e parë. Historia do të mbajë mend që këta djem ishin pjesë e titullit të pestë. Filozofia jonë mbetet e pandryshuar, rezultatet nuk janë prioritet, por zhvillimi i futbollistëve dhe përgatitja e kampionëve të ardhshëm. Me këtë bindje do të vazhdojmë edhe në ciklin e ri që nis nga korriku”, shprehet Erhan Selimi, drejtor i Shkollës së Futbollit, që nga 1 marsi i vitit 2019.
KF Shkëndija vazhdon të punojë me vizion dhe përkushtim në të gjitha nivelet, me qëllim që suksesi i sotëm të mbështetet gjithmonë në themele të forta për të ardhmen.

