
Pauza ndërkombëtare e ndan përkohësisht Shkëndijën nga ndeshjet zyrtare, por jo nga fusha. Kuqezinjtë këtë periudhë do ta shfrytëzojnë për dy miqësore, me të parën që zhvillohet të shtunën ndaj KF Kamjanit.
Në stadiumin e fshatit Kamjan, takimi nis në orën 16:00 dhe për Shkëndijën do të jetë një mundësi për të ruajtur ritmin garues, ndërsa hapësirë pritet të kenë edhe futbollistët që kanë pasur më pak minuta në kampionat. Njëkohësisht, kjo periudhë shërben për rikuperimin gradual të lojtarëve që kanë pasur probleme fizike.
Përballë do të jetë një skuadër që këtë sezon po shkruan historinë e saj. KF Kamjani është debutues në Ligën e Dytë të Maqedonisë së Veriut, duke përfaqësuar një mundësi të re për futbollistët e Pollogut dhe veçanërisht për të rinjtë që synojnë të zhvillohen përmes futbollit konkurrues.
Shkëndija e ka përshëndetur dhe uruar Kamjanin për këtë ngjitje, ndërsa miqësorja e së shtunës është edhe një përballje që i bashkon dy skuadra të Pollogut dhe një formë mbështetjeje për rrugëtimin e klubit të ri në futbollin vendor.
Kamjani e ka nisur sezonin debutues në Ligën e Dytë me 3 fitore, 1 barazim dhe 2 disfata, duke grumbulluar 10 pikë.
Ndeshja: Kamjani – Shkëndija
Data: E shtunë
Ora: 16:00
Stadiumi: Stadiumi i fshatit Kamjan
Karakteri: Ndeshje miqësore

