
Pasi zyrtarizoi kontratën me kuqezinjtë, mbrojtësi i djathtë për Shkëndija Channel ka folur rreth pritjeve për periudhën që pason. 31 vjeçari e sheh Shkëndijën të aftë për të ecur mirë sërish në Kupat e Evropës ku sipas tij na duhet pak fat në short, derisa ekipi ndërtohet me qëllim të tregojë konsistencë në kampionat për të vazhduar të mbajë primatin e ekipit më të mirë në vend.
…rikthimi në Shkëndijë…
Mevlan Murati: “Të them të drejtën një ndjenjë e bukur sikur të jetë hera e parë. Rikthehem te klubi i zemrës dhe jam shumë i lumtur për këtë mundësi që më është dhënë përsëri. Ta përfaqësoj klubin e zemrës për mua është diçka shumë pozitive.”
…pritjet…
Mevlan Murati: “Jam më se i gatshëm dhe e di shumë mirë atmosferën dhe ambiciet e klubi, si dhe mënyrën si funksionon klubi. Për këtë arsye zgjodha të rikthehem dhe sadopak edhe unë të ndihmoj ekipin për rrugëtimin që do ta bëjmë.”
…Evropa…
Mevlan Murati: “Në të kaluarën kemi pasur shumë ndeshje pozitive në Evropë, fatkeqësisht pa mundur ta prekim qëllimin e madh që kishim për të hyrë në fazën e grupeve. Por të shohim para, këtë vit i kemi mundësitë e mira, pasi Shkëndija doli kampion dhe mund të jetë një rrugëtim pak më i lehtë se në të shkuarën. Shpresoj shumë dhe besoj në ekipin tonë se do të ecim mirë këtë vit.”

