
Më në fund Marko Gjorgjievski zyrtarizohet te Shkëndija! Një prezantim që vjen me shumë bujë, i shtyrë nga një valë e madhe mesazhesh private nga tifozët kuqezi, të cilët luajtën një rol vendimtar në vendimin e sulmuesit për të zgjedhur Tetovën. Në vazhdim gjeni intervistën e plotë të Marko Gjorgjievskit për Shkëndija Channel, menjëherë pasi firmosi kontratën dy vjeçare me kuqezinjtë.
…mesazhet nga tifozët e Shkëndijës…
Marko Gjorgjievski: “Pa dyshim, që të jem i sinqertë, unë kam marrë mesazhe, për besë, që nga sezoni i kaluar. Por, këtë muajin e fundit, e sidomos këto dy-tre ditët e fundit, mund të them se kam marrë më së shumti deri tani. Në çdo klub ku kam qenë, mesazhe të tilla dhe në këtë sasi nuk kam marrë asnjëherë. Dhe jam shumë i lumtur për këtë, andaj shpresoj që t’i përmbush pritshmëritë.”
…ngrohtësia e mbështetësve…
Marko Gjorgjievski: “Po, që të jem i sinqertë, po. Përgjigjja ime është po, dhe kjo sjell pritshmëri të mëdha. Jam shumë i lumtur për këtë dhe prandaj e zgjodha Shkëndijen, sepse e pashë edhe nga ana e tifozëve që kam një mbështetje të madhe. Kjo është arsyeja pse zgjodha të vij këtu. Jam shumë i lumtur për këtë dhe shpresoj që do ta arsyetoj dhe në fund të gjithë do të jemi të lumtur.”
… ndikimi i publikut në vendimin…
Marko Gjorgjievski: “Ka ndikuar shumë. Do të jem i sinqertë tani, unë jam i tillë dhe kam emocione të mëdha. Për besë, diçka të tillë nuk kam përjetuar më parë, sepse realisht, që të të shkruajnë çdo ditë mesazhe të tilla me një mikpritje kaq të madhe, duke pritur me padurim që të vij, realisht ishte një shtysë e madhe që të pranoja dhe të vija pa u menduar dy herë për të nënshkruar me Shkëndijën.”
…motivimi profesional…
Marko Gjorgjievski: “Realisht, dihet se cilët janë klubet më të mëdha në Maqedoni dhe nuk kishte nevojë të mendohesha shumë. E di se çfarë ambiciesh ka Shkëndija, ashtu siç i kam edhe unë. Shpresoj që në fund t’i realizojmë si ambiciet e mia, ashtu edhe ato të klubit të Shkëndijës, dhe kjo është e tëra.”
…ndeshja e fundit në Maqedoni kundër Shkëndijës…
Marko Gjorgjievski: “Realisht, po, pikërisht ajo ishte ndeshja ime e fundit. Shpresoj që tani që do të luaj për Shkëndijen, do të vazhdoj me të njëjtin ritëm ashtu siç e bëra atje. Normalisht, kur vjen në një klub të madh ka edhe presion, por unë dua të shijoj lojën këtu, të realizoj ëndrrat e mia, që normalisht nënkupton të shënoj gola dhe të bëjmë një sukses të madh me klubin. Dihet që kur vjen në një klub të madh, synohet të shpallem kampion dhe të dalim në Evropë.”
…përshtypjet për Shkëndijen dhe organizimi i klubit…
Marko Gjorgjievski: “Realisht, edhe vitin e kaluar isha afër Shkëndijës, por vendosa për atë hap që të nënshkruaja për CFR Cluj, që realisht ka qenë pesë herë kampion i Rumanisë. Por, që të jem i sinqertë, edhe pse ai është një klub i madh, Shkëndija më duket madje edhe më e organizuar se të gjitha ato klubet në Rumani, po flas hapur. Për më tepër, Shkëndija e mposhti dy herë FCSB-në (ish-Steaua e Bukureshtit) që ishte kampion i Rumanisë, dhe atje të gjithë e shohin Shkëndijen me një sy tjetër.”
…Jehona në Rumani pas fitoreve ndaj FCSB…
Marko Gjorgjievski: “Po, po, si jo. Realisht në Rumani, kur FCSB luajti kundër Shkëndijës, të gjithë e dinin se çfarë kundërshtari kishte përballë FCSB-ja. Realisht, ndoshta pak e nënvlerësuan në fillim, por pas dy ndeshjeve, Shkëndija u ngrit shumë më lart. Edhe më përpara Shkëndija ka qenë e madhe, por pas asaj, me të vërtetë shihet me një sy tjetër. Nuk ka çfarë të flitet më shumë kur bëhet fjalë për një klub kaq të madh evropian.”
…synim titulli dhe ‘Këpuca e Artë’…
Marko Gjorgjievski: “Po, absolutisht po. Do të jap gjithçka nga vetja që të jetë ashtu. Do të jem njeriu më i lumtur nëse kjo ndodh dhe mendoj se do të ecim në ato hapa: Shkëndija të jetë kampion, e unë të jem golashënuesi më i mirë.”

