
Protagonist absolut i fitores 2:0 ndaj Pelisterit të shtunën në Tetovë në xhiron e katërt të sezonit të ri në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë. Klisman Cake ishte ‘komandant’ i vërtetë në mbrojtje me disa intervenime vendimtare, derisa kur ekipi po përballej me vështirësi të thyej ‘bunkerin’ e kundërshtarit ultra-defenziv, aty shfaqet mbrojtësi që dërgon topin në rrjetë për epërsi 1:0 (minuta e 58’). Ishte ky momenti vendimtar që solli triumfin, sepse skuadra në vazhdim luajti më lehtë dhe me Vane Kërstevskin (minuta e 75’) shtuam edhe golin e dytë për fitore të tretë sezonale dhe pozitë të parë në renditje.
…Cake kur shënon, Shkëndija fiton…
Klisman Cake: “Jam shumë i lumtur që arritën të fitojmë, pasi ishim duke vuajtur derisa arritëm të hapim rezultatin. Më pas u lehtësuam shumë dhe erdhi edhe goli i dytë. Mbi të gjitha morëm tre pikët, kënaqëm skuadrën, publikun që na mbështeti maksimalisht. Jemi shumë të lumtur dhe shkojmë rehat në pauzën dy javore të kampionatit.”
…nuk shënojnë sulmuesit, vjen ndihma nga prapa…
Klisman Cake: “Sigurisht se jam shumë i kënaqur për këtë fakt, por kushdo që të shënonte, sërish do isha njejt i kënaqur sepse më rëndësi ka që morëm tre pikët. Jemi në vendin e parë dhe kjo na lumturon.”
…mbështetja e publikut…
Klisman Cake: “Padyshim se është një lumturi e madhe. Është një emocion shumë i madh , pasi dihet se Shkëndija ka publik shumë të zjartë dhe është një lumturi në vete. Por shpresoj që për gjithë ekipin të jetë kështu, të vazhdojmë të fitojmë dhe në fund të kurorëzohemi me titullin kampion.”
…pauzën dy javore e presim si lider…
Klisman Cake: “Besoj se kjo ishte mënyra e duhur për të nisur kampionatin. E kemi nisur mirë, pavarësisht atij gabimi që bëmë me Raboniçkin në shtëpi, por përsëri treguam se ne dijmë të ringrihemi. Si që e kam thënë në intervistat e kaluara, gjëja më pozitive e jona është që në momentet deçizive dijmë të ringrihemi kur na mendojnë të ‘vdekur’.”
…kur shënon nuk din të ndalesh…
Klisman Cake: “InshAllah të shpresojmë. Nuk e kam problem pauzën e kampionatit. Do të kemi ndeshje kontrolluese, por mendoj se nuk do e harxhoj golin në miqësore.”

