
Ekzaminimet mjekësore kanë konfirmuar se Fabrice Tamba dhe Bojan Dimoski nuk kanë pësuar dëmtime serioze pas lëndimeve të marra në sfidën ndaj NK Bravo.
Lajme inkurajuese vijnë nga infermieria e KF Shkëndija. Dy futbollistët që pësuan lëndime në ndeshjen kthyese ndaj NK Bravo në raundin e dytë kualifikues të UEFA Conference League, Fabrice Tamba dhe Bojan Dimoski, nuk kanë pësuar dëmtime serioze.
Tamba, i cili në fund të takimit mori një goditje në këmbë, iu nënshtrua ekzaminimeve mjekësore, të cilat fatmirësisht nuk evidentuan ndonjë dëmtim serioz.
Ndërkohë, edhe Bojan Dimoski, që pësoi një goditje në kraharor pas një përplasjeje me një futbollist kundërshtar, ka kaluar kontrollet e nevojshme. Incizimet e detajuara nuk kanë treguar frakturë apo dëmtime të brendshme.
Të dy futbollistëve u është rekomanduar pushim disa ditor, ndërsa të hënën do t’u nënshtrohen ekzaminimeve shtesë, pas të cilave do të merret vendimi për rikthimin e tyre eventual në seancat stërvitore.

