
Mbrojtësi Imran Fetai ka folur para startit të kampionatit të ri, ku Shkëndija të diellën përballet me Skopjen si vendase në kompleksin e FFM-së në Shkup, duke konfirmuar ambiciet për titullin kampion dhe fokusin maksimal te kjo përballje mes dy ndeshjeve europiane.
- Fetai: Ambiciet janë të njëjta, shkojmë për titullin kampion dhe duam ta fillojmë mbarë
- Fetai: Jemi rikuperuar mirë nga ndeshja me Bravon dhe jemi të ambientuar me këtë ritëm
- Fetai: Çdo ndeshje ka rëndësinë e vet, të diellën hyjmë 100% vetëm për tre pikët
Përballja e xhiros së parë në kampionatin e ri ndërmjet Shkëndijës dhe Skopjes luhet të diellën në kompleksin e FFM-së në Shkup, me fillim në orën 19:00.
…për startin e sezonit të ri dhe ambiciet e klubit…
Imran Fetai: “Po normal, sezon i ri, kampionat i ri. Ambiciet normal janë të njëjta, shkojmë për kampion dhe ta fillojmë mbarë, ta fillojmë siç duhet. Do të shkojmë të japim maksimumin dhe ta fitojmë ndeshjen.”
…për gjendjen fizike dhe rikuperimin mes ndeshjeve europiane…
Imran Fetai: “Po normal, është e vërtetë. Ne kishim ditën e enjte ndeshjen me Bravon, ku normal dhanë maksimumin. Kishim mundësi të mira, por ndoshta na mungonte pak fati. Ne jemi kthyer, ditën e premte bëmë rikuperim dhe për ditën e nesërme normal ekipi duket mirë, jemi rikuperuar siç duhet. Po ne jemi ambientuar me këtë dhe nuk besoj se kemi problem.”
…për ndarjen e vëmendjes mes kampionatit dhe garave europiane…
Imran Fetai: “Po është e vërtetë, ndeshjen me Bravon e kemi lënë momentalisht anash. Tani gjithë fokusi ynë është te Skopje. Pas ndeshjes me Skopjen, pastaj mendojmë sërish për Bravon.”
…për motivimin dhe synimin për ta nisur kampionatin me fitore…
Imran Fetai: “Po normal, çdo ndeshje ka rëndësinë e vet. Siç the edhe vetë, një fillim i mbarë është gjysma e punës. Ne e kemi parasysh këtë dhe shkojmë 100% për ta fituar ndeshjen.”

