
Goli kundër Vardarit ishte i 150 i Besart Ibraimit në ndeshje zyrtare me Shkëndijën. Ndërkohë debuton me gol edhe sulmuesi i ri, Fabrice Tamba.
Fitorja e 11-të sezonale e Shkëndijës ka sjell ngjitje në vend të parë në renditje dhe rekord një jubile të bukur për kapitenin kuqezi. Besart Ibraimi shënoi golin e parë në fitoren 2:1 ndaj Vardarit në Shkup, duke regjistruar golin numër 150 në ndeshje zyrtare me fanellën e Shkëndijës.
Goli i 9-të sezonal i Ibraimit ishte i 120 ne fanellën e Shkëndijës në ndeshjet e Ligës së Parë të Futbollit të Maqedonisë së Veriut. Shtojmë këtu edhe 14 gola në kuadër të Kupës dhe 16 në Kupat e Evropës, arrijmë te shifra magjike prej 150 golave zyrtarë me fanellën kuqezi. Ibra përveç epiteti si golashënuesi më i mirë në historinë e Shkëndijës, njëkohësisht mban edhe rekordin si golashënuesi më i mirë në historinë e Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut me 211 gola.
Fabrice Tamba debuton me gol në ndeshje zyrtare
Ndeshja e parë dhe goli i parë me vlerën e tre pikëve për sulmuesin e ri Fabrice Tamba. 21 vjeçari nga Senegali u aktivizua në lojë në vend të Latifit në fillim të pjesës së dytë kundër Vardarit. Menjëherë u imponua me rezik permanent në krahun e djathtë të sulmit, derisa në minutën e 76-të shënoi për fitore të madhe të Shkëndijës në fushë të rivalit të madh Vardarit, duke na dhënë vendin e parë në renditje.

