Ibraimi mbret i golave dhe asisteve, Amzai, Ramadani e Cake me më shumë minuta

Me 8 gola dhe 5 asiste Besart Ibraimi vazhdon të jetë lojtari më efikas i kampionatit, derisa në konkurencë të klubit në gjitha 18 ndeshjet kampionale të vjeshtës u paraqitën Amzai, Cake, Shala dhe vëllezërit Ramadani.

Javën e shkuar kuqezinjtë mbyllën gjysmësezonin vjeshtor në Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë për edicionin 2024/2025, duke u ndalur në krye të renditjes me pikë të barabarta me Sileksin dhe Rabotniçkin (të gjithë me nga 37 pikë).

Shkëndija në 18-të ndeshje ka shënuar 10 fitore, 7 barazime dhe vetëm një humbje, me 30 gola të shënuar (më shumë se çdo skuadër tjetër) dhe 12 gola të pranuar.

Besart Ibraimi është lojtari më efikas i gjysmësezonit duke qenë i përfshirë në 13 gola, 8 gola dhe 5 asiste. Fiton Ademi me 6 gola dhe 2 asiste është i dyti për efikasitet te kuqezinjtë, derisa Florent Ramadani mbylli gjysmësezonin vjeshtor si lojtari i tretë me më shumë gola, duke kompletuar 5 realizime. 3 gola ka shënuar Vane Kërstevski, nga 2 Cake e Shala, kurse nga një gol kanë Trumçi, Adili dhe Ahmedi. Gjithë këto numërojnë 29 gola, ndërsa shifrën e 30 realizimeve e kompletojmë me autogolin e Allomeroviqit të Rabotniçkit në barazimin 1:1 në xhiron e dytë.

Për sa u përket minutave, portieri Astrit Amzai është i pari me 1 620 minuta maksimale (pa llogaritur minutat shtesë që ka pasur çdo ndeshje në fund të pjesës së parë dhe në fund të ndeshjeve). I dyti me minuta është Reshat Ramadani (1 610’), ndërsa bashkë me Amzain dhe R. Ramadanin, të përfshirë në të gjitha 18 ndeshjet kampionale ishin edhe Klisman Cake me 1 583 minuta të luajtura, Adenis Shala (1 379 minuta) dhe Florent Ramadani (758 minuta). Pason Trumçi me 17 ndeshje (ka një ndeshje më pak se Ramadani e Shala, mirëpo më shumë minuta të luajtura, gjithsej 1 496). Nga 16 ndeshje kanë Mevlan Adili, Besart Ibraimi e Vane Kërstevski, Kamer Qaka ka luajtur 15 ndeshje (984 minuta), Fiton Ademi e Ibrahim Alhassan nga 14, Zija Merxhani e Valon Ahmedi janë përfshirë në 13 ndeshje, 12 ka Liridon Latifi e Lorik Jakupi, kurse 11 Ronaldo Webster. Me më pak ndeshje e minuta janë disa futbollistë që kohë pas kohe kanë pasur minuta si Anes Meliqi që në 6 ndeshje ka regjistruar 238 minuta, Stefan Kocev është përfshirë në 4 ndeshje, njejtë si Amir Nuhija, derisa në dy takime minuta kishte Daouda Bamba. Pa minuta dhe pa aktivizim në ndeshjet kampionale të vjeshtës janë portierët Ferat Ramani e Davor Taleski.

Në aspekt të disiplinës, më shumë kartona të verdhë ka grumbulluar Mevlan Adili (6), Kamer Qaka është i dyti me 5, ndërsa në prag të pezullimit me një ndeshje janë R. Ramadani, Klisman Cake, Adenis Shala, Florent Ramadani dhe Zija Merxhani që kanë nga 4 kartona të verdhë (me 5 kartona pason pezullim prej një ndeshje). Nga 3 kartona të verdhë kanë grumbulluar Trumçi, Ibraimi, Ademi e Alhassan.

Në vjeshtë dy lojtarë të Shkëndijës u ndëshkuan me kartona të kuq edhe atë të dy në duelin me Sileksin në Kratovë (barazim 0:0 në xhiron e 9-të). Aleksandër Trumçi u përjashtua me të kuq pas dy kartonave të verdhë, derisa kartonin e vetëm direkt të kuq e mori në të njejtin takim, Stefan Kocev.

Skuadra tashmë është në pushim, derisa në fillim të vitit të ardhshëm fillojmë përgatitjet për gjysmësezonin pranveror.

Share

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

go top