Gola debutues për Mazarin e Cekën, debutim për Spahiun e Belicën

Atdhe Mazari (x3) dhe Nazif Ceka kundër Jeni Maales shënuan golat e parë me fanellën kuqezi, derisa Sebastian Spahiu dhe Egzon Belica regjistruan paraqitjet e para për ekipin tonë.

Shkëndija të mërkurën siguroi kualifikimin në 1/8 e finales së Kupës së Maqedonisë së Veriut, me një fitore bindëse 9:0 kundër Jeni Maales nga Manastiri, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin e vjetër të qytetit në Tetovë. Takimi u karakterizua nga gola të shumtë dhe debutime të rëndësishme.

Mazari shënoi tre golat e parë të ndeshjes (5’, 8’, 13’), duke hapur “llogarinë” e tij të golave me fanellën kuqezi. Për mbrojtësin e ri Nazif Ceka, kjo ishte ndeshje e veçantë pasi realizoi golin e tij të parë për Shkëndijën nga pika e bardhë (42’), duke e çuar rezultatin në 5:0.

Kjo sfidë shënoi edhe debutimin e Sebastian Spahiut dhe Egzon Belicës. Sulmuesi Spahiu luajti 90 minutat e para me fanellën kuqezi dhe dha sinjale pozitive, njësoj si Belica që ishte titullar në qendër të mbrojtjes. Për struganin, ky ishte një “debutim i dytë”, pasi ai ka veshur fanellën tonë edhe në vitin 2014.

Skuadra është kthyer sot në stërvitje për të vijuar përgatitjet për sfidën e së premtes ndaj Bashkimit, ndërsa grupit i janë bashkuar portieri Baboucar Gaye, Anes Meliqi dhe Numan Ajeti pas angazhimeve me ekipet përfaqësuese. Mungon ende Ronaldo Webster, i cili pritet të kthehet pas ndeshjeve me Xhamajkën.

Share

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

go top