
Tre kuqezi shënojnë për herë të parë me fanellën e Shkëndijës. Mazari (2), Meliqi dhe Belica realizuan gola debutues të hënën.
Fitorja bindëse 7:2 ndaj Makedonija Gj.P. në kuadër të xhiros së 13-të solli jo vetëm tri pikë të reja për Shkëndijën, por edhe momente të veçanta për disa futbollistë që gjetën golat e parë me fanellën kuqezi.
Mbrojtësi Anes Meliqi realizoi për herë të parë për Shkëndijën, duke shënuar në minutën e 31-të për 3:1, në ndeshjen ku 19-vjeçari dha një tjetër paraqitje të sigurt në repartin defensiv.
Debutim me gol pati edhe Egzon Belica, që në minutën e 81-të shënoi golin e gjashtë për kuqezinjtë, duke vulosur një ditë të plotë për skuadrën tonë.
Ndërkohë, Atdhe Mazari ishte protagonist absolut, duke realizuar dy gola (9’ dhe 67’) dhe dhënë një asist për Florent Ramadanin në golin e dytë të ndeshjes. Këto ishin golat e parë të Mazarit në kampionat, ndërsa me tre realizimet ndaj Yeni Maales në Kupë, sulmuesi strugan tashmë numëron pesë gola sezonalë me fanellën e Shkëndijës.
Kuqezinjtë kanë rikthyer menjëherë fokusin te ndeshja e radhës, të shtunën në Strugë përballë FC Shkupit, në një tjetër sfidë e rëndësishme të kampionatit.

