Gaye merr ftesë nga Gambia, R. Ramadani debuton me Maqedoninë e Veriut. Meliqi e Ajeti te U21 e vendit

Katër kuqezi do të kenë angazhime ndërkombëtare gjatë pauzës kampionale. Gaye grumbullohet nga Gambia, Maqedonia e Veriut fton R. Ramadanin, ndërsa pjesë e shpresave do të jenë Meliqi e Ajeti. 

Vera e suksesshme evropiane nxjerr në pah kuqezinjtë tanë që përveç ofertave nga klube të jashtme, marrin vëmendjen edhe nga ekipet përfaqësuese. Këtë javë klubi ka pranuar ftesa për 4 futbollistë, duke bërë që lojtarë të Shkëndijës të jenë pjesë e angazhimeve ndërkombëtare në shtator.

Portieri kuqezi, Baboucarr Gaye, është thirrur nga Kombëtarja e Gambias për dy ndeshje kualifikuese të Kupës së Botës 2026. Gaye do të jetë pjesë e ekipit që më 5 shtator luan kundër Kenias në Nairobi, ndërsa më 9 shtator, po ashtu në Nairobi, përballet me Burundin.

Mesfushori Reshat Ramadani ka marrë ftesën e tij të parë nga përfaqësuesja A e Maqedonisë së Veriut. Reprezentacioni i vendit do të zhvillojë dy ndeshje në këtë grumbullim, më 4 shtator kundër Arabisë Saudite në Pragë dhe më 7 shtator ndaj Lihtenshtajnit në Shkup.

Ndërkohë dy lojtarë të ri Anes Meliqi dhe Numan Ajeti janë ftuar nga përfaqësuesja U21 e Maqedonisë së Veriut për ndeshjet kualifikuese të Kampionatit Evropian 2027 kundër Polonisë në Krakov dhe Italisë në Manastir.

Pjesëmarrja e lojtarëve tanë në nivel ndërkombëtar shihet si përgjegjësi dhe privilegj për klubin, duke dëshmuar vlerën e punës së përbashkët brenda dhe jashtë fushës.

Share

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

go top