
KF Shkëndija qëndron gjithmonë pranë komunitetit, duke mos lejuar që të ekzistojnë barriera për shoqërimin me fëmijët me aftësi të veçanta.

Sot, kuqezinjtë vazhduan traditën e tyre shumëvjeçare të kujdesit social, duke kaluar një pjesë të ditës me fëmijët me nevoja të veçanta në Qendrën Ditore “Teteksi” dhe në paralelen e specializuar të Shkollës Fillore “Liria” në Tetovë. Futbollistët Zija Merxhani, Ferat Ramani dhe Lorik Jakupi, të shoqëruar nga ekipi medial dhe logjistik i klubit, u bashkuan me këtë kategori të fëmijëve, duke e bërë këtë periudhë të fundvitit edhe më të veçantë për ta.
Futbollistët u dhuruan paketa ushqimore, si dhe kalendarin zyrtar të KF Shkëndijës për vitin 2025, i cili këtë vit u prezantua për herë të parë ekskluzivisht për këta fëmijë, përpara shpërndarjes së tij për publikun e gjerë. Takimi u shoqërua me buzëqeshje, biseda të ngrohta dhe momente të paharrueshme që përcollën mesazhin e solidaritetit dhe dashurisë.
KF Shkëndija e sheh si përgjegjësi sociale mbështetjen dhe kujdesin për çdo kategori të shoqërisë. Këto vizita janë një dëshmi e përkushtimit tonë për të ndikuar pozitivisht në jetën e fëmijëve dhe për të dhënë shembullin se bashkë mund të krijojmë një shoqëri më të mirë dhe më gjithëpërfshirëse.
Kuqezinjtë vazhdojnë të jenë jo vetëm shembull në fushën e futbollit, por edhe kampionë të zemrave, duke ndarë dashurinë dhe kujdesin me ata që kanë më shumë nevojë.

