FC Tikvesh- Tasev 10'
FC Shkëndija- Shala 36'
- Ibraimi 54'
KF Shkëndija ka regjistruar fitore në ndeshjen e dytë kontrolluese të fazës përgatitore, duke triumfuar 2:1 ndaj KF Tikveshit. Takimi u zhvillua në terrenin e kompleksit të Federatës së Futbollit të Maqedonisë në Shkup, ku trajneri Jeton Beqiri u dha mundësi të gjithë futbollistëve të disponueshëm të tregojnë veten.
Në formacionin startues trajneri befasoi me përfshirjen e talentit 16-vjeçar Florent Osmani, ndërsa minuta gjatë ndeshjes morën edhe futbollistët e rinj Luka Gavrovski, Nazif Ceka dhe Besian Halimi.
Ndeshja nisi me një mundësi të mirë për kuqezinjtë. Në minutën e 3-të, Shala pranoi një asist nga Ademi, futet në zonë dhe gjuan me të majtën, por topi përfundoi jashtë kuadratit.
Tikveshi avancoi në minutën e 10-të kur Danail Tasev u gjend në pozicion të mirë dhe me një goditje precize me të majtën nga jashtë zone, mposhti portierin Jankov për rezultatin 0:1.
Kuqezinjtë barazuan në minutën e 36-të kur Lorik Jakupi harkoi saktë në zonë dhe Adenis Shala, me një goditje precize me kokë, dërgoi topin në rrjetë për 1:1.
Pjesa e dytë filloi me aksione të bukura nga kuqezinjtë. Në minutën e 49-të, Besart Ibraimi dhe Liridon Latifi krijuan një kombinim të shkëlqyer, por gjuajtja e Latifit u bllokua nga mbrojtja kundërshtare. Epërsia për Shkëndijën erdhi në minutën e 54-të kur Latifi asistoi për Besart Ibraimin, i cili me një të majtë precize nga brenda zonës kaloi portierin për rezultatin 2:1. Në minutën e 71-të, Besart Ibraimi krijoi hapësirë dhe goditi me të majtën nga distanca, por portieri i Tikveshit arriti të devijojë në këndore. Kuqezinjtë vazhduan të kërcënojnë dhe në minutën e 80-të, Ibraimi lëshoi një goditje të fuqishme me të djathtën nga jashtë zone, por portieri kundërshtar ishte sërish në vendin e duhur. Momenti i fundit i ndeshjes erdhi në minutën e 89-të, kur Ibraimi gjuajti fort drejt portës, por topi përfundoi në duart e portierit.
Fitorja 2:1 ndaj Tikveshit shërben si një test pozitiv për Shkëndijën, ku trajneri Beqiri arriti të shohë në aksion të gjithë lojtarët. Ekipi tani do të ketë dy ditë pushim para udhëtimit të së shtunës drejt Antalias, ku do të zhvillohet faza kryesore e përgatitjeve.
SHKËNDIJA-TIKVESHI 2:1 (1:1)
Terreni pranë kompleksit të FFM-së në Shkup
Golashënues: Shala 36’ dhe Ibraimi 54’ (Shkëndija), ndërsa Tasev 10’ (Tikveshi)
SHKËNDIJA: Jankov, Kocev, Cake (c), Meliqi, Merxhani, Nuhija, Alhassan, Jakupi, Shala, Osmani, Ademi.
Luajtën edhe: Gavrovski, Amzai, Trumçi, Adili, Webster, F. Ramadani, R. Ramadani, Kërstevski, Latifi, Ibraimi, Ceka, Halimi.

