FC Shkëndija- Ademi 72'
October 23, 2024, TetovëFull Time
FC Shkëndija Haraçinë
October 23, 2024, TetovëFull TimeDy Shkëndijat dhe tifozeritë “Ballistët” e “Çlirimtarët” prodhuan ndeshje e atmosferë të bukur, derisa goli i Ademit na dha kualifikim në çerekfinale të Kupës.
SHKËNDIJA- SHKËNDIJA H. 1:0 (0:0)
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Golashënues: Ademi 72’ (Shkëndija)
Arbitër: Blagojçe Ralevski (Manastir)
Karton i kuq: Erkan Shaip 76’ (Shkëndija H.)
SHKËNDIJA: Taleski, Trumçi, F. Ramadani (c), Ademi, Webster (Merxhani 46’), Meliqi, Jakupi (Ibraimi 58’), Qaka (R. Ramadani 74’), Nuhija (Ahemdi 46’), Latifi (Shala 58’), Adili.
Trajner: Jeton Beqiri
SHKËNDIJA H.: Mustafa (c), Çilafi (Ferati 86’), Iljazi (Syla 86’), Aliu (Cakolli 65’), Desniq (Aliji 81’), Çalafi (Mamuti 65’), Shaip, Dimov, Arif, Trpeski, Saidi.
Trajner: Erkan Murseli
Në një atmosferë impozante nga tifo grupet “Ballistët” e Tetovës dhe “Çlirimtarët” e Haraçinës dhe para një numri të konsiderueshëm të spektatorëve dy Shkëndijat performuan kënaqshëm në duelin vëllezëror e që u zgjodh nga goli i Fiton Ademit. Duke qenë se luhej ndeshje teke dhe për kualfikim në çerekfinale të Kupës duhej të kishte fitues, kuqezinjtë tanë u mjaftuan me triumf 1:0.
Trajneri Beqiri ndeshjen e nisi me formacion të kombinuar, duke lënë në 11-shen startuese vetëm 3 titullar nga ndeshjet paraprake (Adili, Qaka e Ademi), si dhe Trumçi që kthehej nga pezullimi. Ndeshja në terren që në start solli kuqezinjtë më kërkues dhe që dominonin në qarkullimin e topit, ndërsa haraçinasit ishin më të tërhequr dhe në kundërsulm kërkonin rastin e tyre. Pavarësisht respektit të tanëve, dallimi i një ekipi që lufton për titullin kampion shtetëror dhe një skuadre që garon në Ligën e Tretë (janë lider të renditjes) ishte evident, mirëpo nuk është se pamë ndonjë presion të theksuar për të shtypur mysafirët. Ademi kishte kërcnimin e parë (minuta e 8-të) kur goditi mbi portë pas harkimit të Jakupit nga këndi. Pasoi lojë e qetë dhe pa shanse, derisa goditjen e radhës e solli Qaka (42’) nga distanca, pa gjetur kuadratin. Më pranë epërsisë shkuam me F. Ramadanin një minutë para pauzës, por e majta e tij u ndal në traversë.
Me Ramadanin e mbyllëm të parën dhe me shans të tij e nisëm edhe të dytën, kësaj radhe me super pritje shpëton portieri Mustafa. Trajneri Beqiri në pjesën e dytë aktivizoi në lojë lojtarë me peshë (Ahmedi e Merxhani hynë në të 46’, Ibraimi e Shala në të 58’ dhe R. Ramadani në të 74’) dhe kuqezinjtë sikur ndryshuan marshin në shpejtësi më të lartë e që pas disa kërcënimeve do të vinte ndryshimi. Mevlan Adili harkoi saktë në zonë, ndërsa Fiton Ademi me kokë çoi topin në rrjetë (72’) për epërsi 1:0 e që në fund do të tregohej të ishte rezultati final i këtij dueli.
Ndeshja e radhës
Në fundjavë në program janë ndeshjet e xhiros së 11-të në LPFMV m dhe kuqezinjtë në Tetovë presin Strugën.
Shkëndija-Struga 27.10.2024

