FC Voska Sport
December 3, 2024, OhërFull Time
FC Shkëndija- F.Ramadani 51'
December 3, 2024, OhërFull TimeShkëndija koleksionon fitoren e 10-të sezonale duke mundur Voskën në Ohër. Kuqezinjtë triumfojnë falë golit të Florent Ramadanit.
VOSKA SPORT – SHKËNDIJA 0:1 (0:0)
Stadiumi “Burimet e Bilianës” në Ohër
Golashënues: F. Ramadani 51’ (Shkëndija)
Arbitër: Jovan Kaçevski (Strugë)
VOSKA SPORT: Kitanovski, Hani (c), Iljazi, Zhaku (Hoxha 77’), Dadet, Jahiji (Osei 57’), Larson, Iseni, Tenlep, Riçkov (Jahja 68’).
Trajner: Seit Kreka
SHKËNDIJA: Amzai, Trumçi, R. Ramadani, Cake, Alhassan (Qaka 46’), Ibraimi (c) (Nuhija 90’+3), Ahmedi (F. Ramadani 46’), Webster, Shala (Kocev 90’+5), Meliqi, Latifi (Kërstevski 60’).
Trajner: Jeton Beqiri
Kuqezinjtë dalin me tre pikë nga dueli i xhiros së 17-të me Voska Sportin në Ohër, duke u shkëputur të vetmuar në kreun e renditjes, 2 pikë para Sileksit, Gostivarit dhe Rabotniçkit.
Me disa ndryshime në formacion dhe pa Adilin e pezulluar dhe Ademin e dëmtuar, në fillim të ndeshjes Liridon Latifi ishte lojtari që na jepte shtytje në sulm, fillimisht në minutën e 12-të kur me super lëvizje i krijon mundësi vetes, por Kitanovski i mohon golin me pritje të bukur, derisa në minutën e 16-të asiston bukur për Ibraimin, goditjen e të cilit në mënyrë spektakolare e neutralizon portieri Kitanovski. Në minutën e 22-të Jahiji provon të majtën e tij pa shqetësuar seriozisht Amazain. Deri në fund të pjesës së parë krijuam dy mundësi, fillimisht me Shalën që godet mbi traversë pas asistit të Websterit, derisa në kohën shtesë Ibraimi nuk gjen portën nga gjuajtja e lirë.
Fillimi i pjesës së dytë solli dy ndryshime në formacion (Qaka dhe F. Ramadani zëvendësuan Alhassanin dhe Ahmedin). Në minutën e 49-të super mundësi krijuan vendasit kur asisti i Larsonit shpërdoret nga Hani që ishte i vetmuar para Amzait dhe ndëshkimi erdhi në anën tjetër kur tanët kalojnë në avantazh. Cake jep super asist (51’) për Florent Ramadanin, i cili godet saktë me të majtën dhe me golin e 5-të sezonal na jep epërsi 1:0. Në minutën e 66-të shkuam pranë golit të dytë por F. Ramadani bllokohet, derisa Ibraimi në vazhdim godet skaj portës. Në minutën e 76-të u krijua imazhi i golit kur goditja e Ibraimit ndalet në pjesën e jashtme të rrjetës, derisa vendasit humbën mundësi barazimi me Osein (83’) kur godet në duart e Amzait. Deri në fund nuk pati ndryshim dhe tre pikët kalojnë në konton e tanëve.
Ndeshja e radhës
Të dielën zhvillohen ndeshjet e xhiros së 18-të në LPFMV dhe kuqezinjtë si vendas presin Gostivarin.
Shkëndija-Gostivari 08.12.2024

