
Kuqezinjtë koleksionojnë fitoren e tretë në katër xhiro të sezonit të ri në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë, duke mundur 2:0 Pelisterin në Tetovë. Klisman Cake (58’) dhe Vane Krstevski (75’) shënuan golat për fitoren e parë në terren vendas, me Shkëndijën që shkon në pauzën dy javore si lidere e renditjes me 10-të pikë të tubuara (tre fitore dhe një barazim).
…fitore e pastërt…
Jeton Beqiri: “Ishte një ndeshje e cila për hirë të vërtetës u dominua nga ana jonë nga fillimi e deri në fund. Mendoj se nuk e kishim shpejtësinë e duhur për shkak se kundërshtari mbrohej me shumë forca në një zonë gati 30 metra nga porta e vet. Natyrisht se duhet më shumë shpejtësi, por ne akoma nuk jemi në formën tonë maksimale dhe unë pres që në ndeshjet e ardhshme ekipi të ngritet akoma më shumë.”
…paraqitje identike si ndaj Brerës…
Jeton Beqiri: “Patjetër, në qoftë se dominohet gjatë gjithë kohës do të vijë edhe lodhja e kundërshtarit dhe si pasojë edhe humbja e koncentrimit, për shkak se të mbrohesh gjatë gjithë kohës dhe të vraposh pa top nuk është e njejtë sikur kur ke kontrollin e lojës. Jam i kënaqur me lojën e skuadrës në këto dy ndeshje, por besoj se Shkëndija duhet të luajë shumë, shumë më mirë.”
…nuk realizojnë sulmuesit, vjen ndihma nga prapa…
Jeton Beqiri: “Mendoj se është shumë e rëndësishme të shënojnë shumë futbollistë në një skuadër për shkak se edhe ekipet kundërshtare bëjnë analizën e lojës tonë dhe natyrisht se edhe Fitoni si sulmues apo mos flasim për Besartin, analizohen dhe ndaj tyre kundërshtarët luajnë me taktika të veçanta. Kështu që ne duhet të kemi edhe zgjidhje tjera të cilat duhet t’i përdorim në momentet që na duhen.”
…lider në pauzën dy javore…
Jeton Beqiri: “Sigurisht se vjen në moment të duhur pauza shkaku i nevojës për tu përgatitur ardhjet e reja. Edhe me Valon Ahmedin apo Liridon Latifin do të jemi skuadër më e fortë, por duhet të jemi shumë të kujdesshëm me aktivizimin e tyre. E them këtë pasi ata kanë pauzë 3-4 mujore dhe ato nuk kanë luajtur futboll nga përfundimi i kampionateve respektive ku kanë luajtur dhe nuk është shumë lehtë ata futbolistë t’i kemi në formën maksimale. Mua më gëzon që ekipi dominon, kjo është shumë e rëndësishme, pasi Shkëndija duhet të dominon gjithmonë, kemi tre fitore një barazim dhe në këtë aspekt nuk mund të jem i kënaqur, për shkak se sinqerisht kam pritur më shumë. Por futbolli i ka këto gjëra, ndodhin ndalesa, ndalemi ne, ndalen edhe kundërshtarët dhe kjo e bën kampionatin interesant. Ka disa skuadra serioze dhe ne duhet të punojmë shumë, të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të presim që futbollistët të cilët janë ofruar dhe disa tjerë me lëndime të lehta të kapin fomrën maksimale, pasi mospërgatitja e duhur fizike apo dëmtimet ndikojnë në performansën e tyre dhe të skuadrës. Besoj se pas një kohe Shkëndija do të jetë skuadër shumë e fortë dhe kompetitive.”

