
Derbi i xhiros së 5-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë ndërmjet Shkupit dhe Shkëndijës është mbyllur me barazim 1:1. Dominimi në terren në pjesën e parë nuk dha rezultat, derisa vendasit u kanosën në tre raste, për të marrë epërsinë pak para pushimit me japonezin, Kanda. Përgjigjemi me super golin e Cakes pas një ore lojë, derisa F. Ramadani kishte shansin të na sillte tre pikët, kur goditja e tij u ndal në shtyllë. Trajneri Jeton Beqiri pas ndeshjes pranoi se ekipi nuk mundi të jetë në lartësinë e duhur në një terren të vështirë për lojë, derisa në mungesë të fitores vlerësoi barazimin si rezultat të pranueshëm në derbi.
…barazim i luftuar…
Jeton Beqiri: “Realisht nuk ishim në element më të mirë sot edhe përkundër faktit se duhet të komplimentojmë ekipin e Shkupit për agresivitetin që kishte në lojë. Kishim një lloj dominimi në pjesën e parë, pastaj në të dytën sikur goli ndikoi psikoligjikisht dhe ishim keq deri në minutën e 60-të. Pas barazimit ne kishim situatën në kontroll. Mendoj se ishte një ndeshje të cilën mund ta kishim humbur, pastaj edhe ta fitonim.”
…kur s’fiton, është mirë të mos humbësh…
Jeton Beqiri: “Patjetër, për shkak se ne në këtë ndeshje vinim edhe me probleme. Konkretisht kishim dy-tre futbollistë me virozë para ndeshjes, pastaj kemi dy futbollistë të lënduar si Webster dhe Kocev që nuk janë akoma të gatshëm edhe pse Kocevi luajti në pjesën e dytë dhe ishte shumë korrekt në zbatimin e detyrave, por mungesa e një alternative në krahun e majtë të mbrojtjes na hapi shumë probleme sot. Merxhani para ndeshjes pranoi infuzion për të luajtur dhe nuk ishte në gjendje ta vazhdojë ndeshjen dhe këto probleme në derbi vërehen shumë. Edhe pjesa tjetër e skuadrës, sidomos pjesa ofenzive nuk ishte në ditën më të mirë, duke marrë parasysh edhe për meritë të kundërshtarit, por edhe fushës e cila për hirë të së vërtetës nuk plotëson asnjë lloj kushti për momentin për futboll elitar të vendit tonë.”
…barazimi në derbi në fushë të rivalit i pranueshëm…
Jeton Beqiri: “Me paraqitjen që kishim, sigurisht se po! Nuk ishte paraqitja jonë më e mirë dhe është një fushë ku gjitha skuadrat me këtë mënyrë loje të Shkupit, që edhe një herë e komplimentoj, secila skuadër do ta ketë problem. Kur nuk bën paraqitjen maksimale dhe nuk humb, deri dikund mund të pranohet barazimi, pavarësisht se ambiciet tona janë që në gjitha ndeshjet të bëjmë maksimumin dhe të mundohemi ta fitojmë. Por ka edhe ndeshje ku nuk je në maksimumin e mundshëm, ndoshta edhe për shkak se një kohë të gjatë nuk kishim ekipin të kompletuar në stërvitje shkaku i disa dëmtimve dhe 5 tjerë që ishim me përfaqësuesen e Maqedonisë. Por këto nuk janë arsyetime për paraqitjen e sotme. Në përgjithësi nuk jam i kënaqur, por duhet të vazhdojmë të punojmë shumë, të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të mundohemi në ndeshjet e ardhshme të bëjmë paraqitje më pozitive .”

