
Shkëndija bën detyrën në 1/8 e finales së Kupës pasi me golin e Fiton Ademit (72’) mundim 1:0 vëllezërit e Shkëndijës së Haraçinës, për kualifikim në çerekfinale. Ndeshje e bukur me tifozeri të shkëlqyeshme krijuan ambient impozant në Tetovë.
…ndeshja…
Mevlan Adili: “Ishte ndeshje zyrtare dhe si që kemi cekur para fillimit të kampionatit ne do të luftojmë në të dyja frontet, ashtu siç ka bërë gjithmonë këto vite të fundit Shkëndija. Ishte ndeshje vëllezërore, por mbi të gjitha ndeshje oficiale. Mendoj se mysafirët bënë paraqitje dinjitoze. I përgëzoj për këtë dhe ju dëshiroj sa më shumë suksese dhe t’i arrijnë objektivat. Kurse ne mendoj se bëmë detyrat, por duhet të jemi më të vetëdijësuar shumë më herët dhe të jemi prej fillimit të ndeshjeve shumë më të mirë.”
…ambienti i bukur në tribuna…
Mevlan Adili: “Normalisht, e kam cekur gjithmonë se futbolli luhet për tifozë dhe pa ta futbolli nuk ka kuptim. Sot e kam ndjerë në maksimum atmosferën si nga ana e “Çlirimtarëve” të Haraçinës, ashtu edhe nga “Ballistët”. Mendoj se ishte atmosferë perfekte dhe një ditë shumë e bukur për gjithë ne për të luajtur një ndeshje të bukur futbolli. Jam i lumtur për fitoren, mirëpo duhet akoma më shumë angazhim e seriozitet që gjërat kurrë mos i’a lëmë rastit.”

