
Shkëndija nuk ka shkuar më shumë se një barazim 1:1 në udhëtim te Sileksi, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e 30-të në LPFMV. Ndeshja nisi mirë për kuqezinjtë që kaluan në avantazh me golin e Ndzengues në minutën e 19-të, por gjërat u vështirësuan në pjesën e dytë kur Fabrice Tamba u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 71-të. Me një lojtar më pak, Shkëndija rezistoi deri në minutën e 89-të, kur Sileksi barazoi shifrat, duke bërë që kuqezinjtë të largohen me vetëm një pikë nga kjo transfertë.
…ndeshja…
Jeton Beqiri: “Mendoj se s’duheshte të gabojmë në ato minuta të fundit, por presioni e bën të vetën për shkak se kishim disa minuta që luanim me një lojtar më pak. Dhe më e rëndësishme se gjithçka është që nga minuta e parë, në kornerin e parë, na bënë me dije se nuk do luanim 11 kundër 11, por do luanim 11 edhe kundër tre njerëzve brenda në fushë, të cilët duhet të jenë ndarës të drejtësisë, jo bërës të padrejtësisë.”
…mungoi goli i dytë…
Jeton Beqiri: “Mendoj që goli i dytë do mbyllte gjërat, në momente të veçanta nuk u treguam cinikë dhe nuk patëm edhe fatin me vete, por unë jam jashtëzakonisht shumë i brengosur për situatën në të cilën gjendemi ne në futbollin e Maqedonisë këtu.”
…gara për titull…
Jeton Beqiri: “Do bëjmë maksimumin, nuk do dorëzohemi asnjëherë sepse këtë e kemi detyrë, por për momentin dëmtohet jashtëzakonisht shumë shëndeti mendor i joni dhe i lojtarëve. Ka filluar shumë muaj më herët dhe vazhdon e njëjta gjë, kjo është e padurueshme për të gjithë ekipin.”
…pjesa psiqike…
Jeton Beqiri: “Unë mendoj se të gjithë e dinë realitetin, edhe publiku, edhe kritiku më i madh, edhe ata që na përkrahin. Tani, a mundemi ne të tregohemi më të fortë se të gjithë ata që janë kundër nesh? Mundemi, por për momentin jemi keq sepse është humbur qetësia te futbollistët dhe besoni është shumë e rëndë t’i kontrollosh në raste nervoze. Tani të gjithë futbollistët shprehin revoltën e tyre dhe ankohen për jo-barazi.”
…bisedat me lojtarët…
Jeton Beqiri: “Ne flasim, ne bisedojmë, të gjithë e dinë se çka po ndodh, por askush nuk ka mundësi të japë përgjigje.”

