Deklarata | Jeton Beqirit flet pas ndeshjes me Rabotniçkin

Shkëndija merr fitore bindëse 3:0 në transfertën me Rabotniçkin në kuadër të xhiros së 26-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut. Dy gola të Endrit Krasniqit (7’ dhe 71’) dhe një realizim i Fabrice Tambës (37’) sollën fitoren e 19-të sezonale për kuqezinjtë. 

…reagim perfekt pas humbjes…

Jeton Beqiri: “Mendoj se po. Siç e thatë edhe ju, e dominuam takimin nga fillimi deri në fund, përveç një gabimi individual në fillimin e pjesës së dytë ku na shpëtoi portieri. Pjesa tjetër ishte e kontrolluar nga ana jonë dhe ishte një fitore e cila na duhej në këto momente për shkak se, të them të drejtën, edhe ne si staf, edhe futbollistët, edhe opinioni, edhe tifozët, të gjithë e përjetuam shumë rëndë atë humbje me Pelisterin. Ishte një humbje e papritur, por futbolli i ka këto situata dhe ne duhet mbas humbjes të reagojmë dhe të luftojmë çdo ndeshje pastaj për trepikëshin.”

…ndalim serinë e 4 fitoreve rresht të Rabotniçkit…

Jeton Beqiri: “Pajtohem me ju për shkak se Rabotniçki ishte skuadra më në formë në moment duke i marrë katër ndeshjet e fundit. Unë personalisht isha në Strugë dhe e ndoqa takimin, atje ata bënë një paraqitje shumë të mirë, ishin një skuadër shumë e organizuar dhe luftuan. Por megjithatë, besoj që sot e vendosi dëshira e futbollistëve të Shkëndijës, kualiteti gjithsesi, por edhe agresiviteti që shfaqëm sot.”

…Dy gola Krasniqi, Tamba gol dhe dy asiste…

Jeton Beqiri: “Po, më vjen shumë mirë për Krasniqin për shkak se për momentin gëzon një formë shumë të mirë, shënoi dy gola. Edhe Tamba gjithashtu, përveç që shënoi gol, ishte asistues i dy golave të tjerë. Jam i kënaqur edhe me Tambën për shkak se kalonte një periudhë ngërçi, domethënë një periudhë jo shumë pozitive sa i përket realizimit. Ne kemi një skuadër me lojtarë shumë cilësorë dhe gëzon fakti që edhe të tjerët aktivizohen, për shkak se në ndeshjet e fundit vareshim shumë nga golat apo forma e Besart Ibraimit.”

…mund të shënonim më shumë…

Jeton Beqiri: “Unë besoj se çdo futbollist dëshiron të shënojë. Edhe futbollistët që ishin para portës sot pas rezultatit 2:0 apo 3:0 kishin dëshirë, por ndonjëherë vendos edhe cilësia e fushës. Të them të drejtën, kjo fushë nga jashtë duket cilësore, por në fakt nga brenda është jo-cilësore për një ndeshje të Ligës së Parë të Maqedonisë. Unë normalisht isha pak i brengosur kur ndeshja u caktua këtu, por ne nuk mund të ndikojmë në caktimin e ndeshjeve. Me dëshirë do kisha dashur të luhej ndeshja atje ku ekipi i Rabotniçkit zakonisht i luan ndeshjet si vendas, por është e rëndësishme që në çdo fushë ku do të paraqitemi të mundohemi të jemi të sigurtë dhe të tregojmë futboll cilësor. Më gëzon fakti që në çdo ndeshje, edhe në kampionat edhe në Kupë, që kemi luajtur në sezonin pranveror jashtë Tetovës, kemi fituar çdo ndeshje.”

…ndryshimi i terrenit nga Vardari e Rabotniçki…

Jeton Beqiri: “Unë mendoj që është një kompliment për shkak se dihet se stadiumi kryesor, aty ku luan edhe reprezentacioni i Maqedonisë, është i cilësisë më të lartë këtu në Maqedoni. Normalisht unë besoj që ne jemi akoma më dominantë në ato lloj fushe kundër këtyre kundërshtarëve apo kundër çdo kundërshtari tjetër. Por çdo ekip i bën llogaritë e veta. Unë mendoj që llogaritë ndonjëherë nuk dalin, për shkak se si Vardari ashtu edhe Rabotniçki në këtë fushë në duelet me ne kanë pësuar disfatë.”

…Shkëndija në “Todor Proeski” ndjehet si në shtëpi…

Jeton Beqiri: “Unë mendoj se po, për shkak se ne kemi zhvilluar shumë ndeshje atje, edhe seanca stërvitore. Dhe kur bëhet analiza, është një fushë që tradicionalisht,jo këtë vit por edhe vitet e tjera, skuadra e Shkëndijës me çdo lloj futbollistësh dhe me trajnerë të tjerë, në atë fushë shprehet në mënyrë cilësore gjithmonë.”

Share

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

go top