Deklarata | Jeton Beqirit flet pas ndeshjes me Gostivarin

Shkëndija pëson humbjen e parë sezonale pasi mundemi 3:1 nga Gostivari në ndeshjen e xhiros së 7-të të luajtur në stadiumin ‘Boris Trajkovski’ në Maxhari të Shkupit. Shkëndija humbi shumë mundësi shënimi dhe tre herë goditi kornizën e portës, derisa pranuam gola pas gabimeve tona e që na kushtuan humbje. Oguzhan (22’), Simonovski (47’) dhe Aldair nga penaltia (90’+1) realizuan golat për Gostivarin, derisa goli i Ibraimit (88’) rezultoi i pamjaftueshëm për të shmangur disfatën.

…humbja …

Jeton Beqiri: “Patjetër ne e kishim përgatitur ndeshjen për rezultat pozitiv, mendoj se dhamë maksimumin, futbollistët bënë paraqitje të pranueshme sa i përket angazhimit, por kur në një ndeshje ndodhin aq gabime, është shumë problem që të merret rezultat pozitiv. Si në aspektin mbrojtës, ashtu edhe në aspektin sulmues, goditëm kornizën e portës disa herë, humbëm disa mundësi të pastërta dhe si rezultat i kësaj duhet ta pranojmë humbjen.”

…me gjithë gabimet e portierit, mendon se sulmi mund ta fitonte ndeshjen?…

Jeton Beqiri: “Mendoj që edhe përkundër gabimeve të cilat ndodhin në futboll, ju ndodhin edhe futbollistëve e portierëve edhe më të mëdhenjë, ne duhet ta pranojmë këtë fakt. Normal ndikon në ndeshje, pasi ne sikur ta kishim barazuar rezultatin në pjesën e parë me aty dy raste që kishim dhe shtyllën, pastaj edhe në pjesën e dytë, besoj që edhe ndikimi i gabimeve do të ishte më i vogël. Por gabimet janë pjesë e lojës, ne duhet t’i pranojmë, duhet t’i analizojmë, të stërvitemi dhe të punojmë çdo ditë, pasi para nesh kemi ndeshjen e ardhshme të cilën duhet ta përgatisim më së miri dhe duhet të japim maksimumin.”

…na mundi Gostivari, apo u mundëm vetë…

Jeton Beqiri: “Mendoj se Gostivari është skuadër cilësore dhe nuk dua të nënçmoj fitoren e tyre. Ata shfrytëzuan gabimet tona, kurse ne nuk shfrytëzuam mundësitë e pastërat që patëm.”

…na duhet ngritje psiqike, të dielën presim Vardarin…

Jeton Beqiri: “Patjetër. Kjo ndeshje mbaroi, ne nesër në mëngjes do të bëjmë analizën dhe vazhdojmë me stërvitje dhe gjitha forcën dhe energjinë do ta drejtojmë ka ndeshja e ditës së dielë.”

Share

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

go top