
Shkëndija merr fitore minimale, por me peshë 1:0 në transfertën me Makedonija Gj.P.. Duelin e xhiros së 24-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut e vulos goli i vetëm i Endrit Krasniqit në minutën e 53-të. Tashmë jemi me pikë të barabarta (58) në vendin e parë.
…barazohemi me vendin e parë…
Jeton Beqiri: “Pas negativës prej 6 pikëve që kishim kundrejt vendit të parë pas gjysmësezonit vjeshtor, unë shpresoja t’i rikuperonim, por realisht jo se kaq shpejtë do ta bënim këtë brenda këtyre xhirove. Por duhet të jemi të realtë dhe të pranojmë se kemi bërë mirë deri në këtë moment, kemi 7 fitore dhe një barazim edhe atë barazim me një gol të pranuar në sekondat e fundit. Në përgjithësi jam i kënaqur me situatën, por duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të bëjmë më mirë në vazhdim.”
…tani duhet kujdes…
Jeton Beqiri: “Keni të drejtë, Shkëndija është skuadër cilësore, tani gjatë pauzës do të kemi 7 futbollistë pjesë e ekipeve përfaqësuese respektive të vendeve të tyre, kemi futbollistë edhe te përfaqësueset e shpresave. Ne duhet të rifreskojmë skuadrën, të ruajmë qetësinë me bindje se akoma nuk kemi fituar asgjë, jemi vetëm me pikë të barabarta me Vardarin. E rëndësishme është edhe fakti se fushat pres të jenë më të mira, pasi kjo fushë ku luajtëm sot për hirë të së vërtetës nuk përmbush asnjë standard për ndeshje të Ligës së Parë. Kjo ndikon shumë edhe te rastet që i kishim sot, për shkak se në momentin e goditjes së fundit, topi kërcen dhe nuk është se mund ta kontrollosh. Gjithsesi, besoj se duhej ta mbyllnim ndeshien më herët, kishim shumë raste të shpëdoruara. Më pëlqen karakteri, grinta dhe pëlqen edhe fakti se gjithmonë në pjesën e dytë jemi skuadër tjetër.”
…fitorja e sotme…
Jeton Beqiri: “Sigurisht se jam i kënaqur me fitoren, ndërkohë jam pak i mërzitur dhe nuk arrij ta besoj se si mund të humbim gjithë ato raste. Duhet të jemi më cinik në aspekt të shfrytëzimit të rasteve. Kurse sa i përket skuadrës, normal me disa rotacione dhe mungesa të lojtarëve shumë të rëndësishëm ne gjithmonë jemi shfaqur mirë gjatë pranverës. Unë e shoh moralin e skuadrës shumë lartë dhe kjo është shumë e rëndësishme. Shof një grup të bashkuar, normal se gjatë rrugës shfaqen edhe probleme, por më me rëndësi është që Shkëndija të fitojë. Pastaj me fitore edhe grupi ka më shumë ngrohtësi, atmosfera për punë është më e mirë, normal edhe mbështetja nga tifozët është më e madhe. Ne kemi besim dhe duke u bazuar në kualitetet tona mund të bëjmë një premtim se deri në moment të fundit në 9 ndeshjet e mbetura do të japim maksimumin. Kjo ka rëndësi, pastaj gjërat tjera mbetet për të parë se si do të rrjedhin.”

