
Fitorja 4:0 ndaj Vardarit në ndeshjen e xhiros së 8-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut ka nxjerrë Shkëndijën në pozitën e parë në renditje. Trumçi (3’), Ibraimi (13’), Ahmedi (27’) dhe F. Ramadani (73’) shënuan për fitore të thellë të kuqezinjëve në një përballje ku rivali arriti vetëm të provokonte në momente të caktuara me gjeste josportive, pasi në pjesën e lojës ishin si nxënës të padisiplinuar për të dëgjuar ligjeratën e një ‘profesori’ superior.
…fitorja …
Jeton Beqiri: “Mendoj se ishte një ndeshje shumë e mirë nga ana jonë. Dominim total nga fillimi deri në fund. Me rëndësi që nuk rezikuam në prapavijë dhe shumë me rëndësi që nuk pranuam gol edhe për hirë të portirit i cili xhiron e shkuar nuk kishte paraqitje të mirë dhe ne në këto momente normal se ishte shumë me rëndësi ta përkrahim. Them këtë për shkak se çdo kund edhe në botë ndodhin gabime të tilla. Ndoshta mund të kishim shënuar edhe ndonjë gol, por në përgjithësi jam i kënaqur si menaxhuam ndeshjen.”
…kthehemi lider pas 4 ditëve…
Jeton Beqiri: “Normalisht, ndeshjet kundër Vardarit për mua si trajner janë shumë të lehta për tu përgatitur në aspektin e motivimit dhe në aspektin e nxjerrjes së maksimumit nga ana e futbollistëve. Unë e dija se ekipi ynë do të reagonte, nuk është normale që gjithmonë mos kesh fat apo të gabosh ashtu në mënyrë individuale. Normal ndeshjen e kaluar ne e analizuam, mundohemi të nxjerrim mësim nga çdo ndeshje dhe ishte nje reagim si e kam pritur. Nuk kam dyshuar aspak se do të bënim një performansë të mirë.”
…publiku…
Jeton Beqiri: “Dihet se publiku jonë është i jashtëzakonshëm, si ‘Ballistët’, ashtu edhe pjesa tjetër e publikut. Mirëpo janë situata kur në momente të veçanta duhet të jenë më të qetë për shkak se ekzistojnë disa lloje të kundërshtarëve të cilët vijnë vetëm për të provokuar. Edhe pas ndeshjes më drejtohet mua (një kundërshtar) krejtësisht për provokim, kështu që është e rëndësishme të jemi të qetë. Është e rëndësishme t’ia arrijmë qëllimit, t’i dominojmë shumë me futboll dhe kjo është mbi të gjitha. Pastaj ka gjëra të vogla të cilat janë dytësore dhe me kalimin e kohës besoj se do të harrohen.”

