Deklarata | Jeton Beqiri komenton fitoren ndaj Vardarit

Trajneri i kuqezinjëve ka lavdëruar ekipin për karakterin e treguar dhe fitoren e arritur ndaj Vardarit, mirëpo ka porositur skuadrën se loja detyrimisht kërkon përmirësim. Shkëndija nisi mbarë gjysmësezonin pranveror me fitore 2:1 ndaj Vardarit në duelin e xhiros së 19-të në LPFMV. Ibraimi dhe Tamba shënuan për Shkëndijën, derisa Zakariq nga penaltia barazoi përkohësisht rezultatit.

…ndeshja…

Jeton Beqiri: “I kënaqur si shkoi ndeshja dhe i kënaqur me rezultatin patjetër, për shkak se ndeshjet e para gjithmonë janë të vështira, janë ndeshje me ngërç. Kishim shumë probleme për përgatitjen e ndeshjes para Vardarit shkaku i mungesës së videove nga ndeshjet e tyre, derisa ata gjithçka tonën e dinin. Ishte një pikëpyetje se me cilin formacion do të dalin dhe si do paraqiten?! Por, megjithate unë jam i kënaqur ke angazhimin e futbollistëve, por s’jam i kënaqur me lojën. Mendoj se Shkëndija duhet të luajë shumë më mirë.”

…karakteri…

Jeton Beqiri: “Të jem i sinqertë, ne kemi punuar mirë gjatë fazës përgatitore dhe qëndrojmë mirë fizikisht. Në pjesën e parë kishim një lloj ngërçi, nuk u paraqitëm mirë. Fola me futbollistët në pushim mes dy pjesëve dhe pastaj në vazhdim ishim më mirë. Besoj se mund ta mbyllnim ndeshjen pas 1:0 kur kishim rast të pastërt dhe pastaj u ndëshkuam nga penaltia e përsëritur. Por unë dua të uroj futbollistët për karakterin e treguar dhe për dëshirën për fitore.”

…Tamba…

Jeton Beqiri: “Jo vetëm Tamba, por edhe gjithë lojtarët tjerë janë të rëndësishëm për Shkëndijën dhe projektin tonë. Secili ka rëndësinë e tij dhe asnjëri nuk është i pazëvendësueshëm. Tamba është prurje për sulmin dhe është një futbollist cilësorë të cilin ne e kemi ndjekur në 6 mujorin e fundit. Problem është se momentalisht nuk është i gatshëm në maksimumin e tij fizikisht dhe në këtë moment 45 minuta janë maksimum për të për shkak se ka vetëm 2 javë stërvitje. Por besoj se do të jetë një vlerë e shtuar për ne.”

…vërejtje…

Jeton Beqiri: “Në disa momente i japim arbitrit elemente për të na ndëshkuar. Por gjithashtu jam shumë i brengosur dhe dua të bëj një apel deri te organet kompetente të delegimit të arbitrave dhe kontrollorët, të jenë më syçelë në këto situata, për shkak se bisedohet për investime shumë të mëdha, bisedohet për një ndeshje derbi dhe unë gjatë gjithë ndeshjes isha shumë në siklet me referimin. Ndjeja se nuk ishte i barabartë, kishte tendenca, kam shumë dyshime edhe te përsëritja e penaltisë. Fryma e arbitrit gjatë ndeshjes nuk më pëlqeu. Të jem i sinqertë unë këtë brengë e barti edhe nga ndeshjet e vjeshtës dhe nuk dua kurrë të gjej alibi te arbitrat. Sikur sot mos të kishim fituar, nuk do flisja për referimin, por është me rëndësi ta dijnë të gjithë se Shkëndija është klub i madh, është projekt serioz, kemi pronar dhe nuk mund të vjen një arbitër apo një grup arbitrash dhe të çojnë huq gjithë punën dhe mundin që jepet. Kështu që edhe një herë bëj apel për seriozitet në këtë drejtim, pasi ne jemi dëmtuar jo pak, shkaku i këtyre lëshimeve kemi të paktën 3-4 pikë më pak. Shfrytëzoj këtë intervistë kur ne kemi fituar dhe nuk po justifikohemi, për të shprehur shqetësimin për tendencën e disa arbitrave në ndeshje të caktuara.”

Share

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

go top