
Një gol i vlefshëm për tre pikë na dha triumf të rëndësishëm përballë Tikveshit në Kavadar në duelin e xhiros së 26-të të Ligës së Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut. Liridon Latifi shënoi (69’) golin e fitores me asistin e Besart Ibraimit, derisa ekipi tregoi karakter pasi deri te suksesi erdhi me 10 lojtarë në fushë pas largimit me të kuq të Mevlan Adilit.
…fitorja…
Jeton Beqiri: “Patjetër se është një fitore e rëndësishme, por më e rëndësishme për mua ishte se si u duk Shkëndija dhe si luajti gjatë 90-të minutave, si kur ishim numerikisht të barabartë, ashtu edhe kur ishim me një lojtar më pak.”
…shpërdorimi i rasteve…
Jeton Beqiri: “Kemi probleme në disa momente kur s’jemi sa duhet cinik, nuk realizojmë rastet. Normalisht edhe tensioni edhe dëshira e futbollistëve është shumë e madhe, si duket mungon qetësia e momentit të fundit. Por, ishte e rëndësishme të merren tre pikët nga ndeshja në ndeshje dhe pastaj gjërat tjera vijnë duke u përmirësuar gradualisht.”
…karakteri pas kartonit të kuq…
Jeton Beqiri: “Mendoj se rezultati 1:0 nuk pasqyron realitetin e ndeshjes për shkak se ne kishim 5-6 raste të pastërta për gol. Kishim dominim total, kurse ekipi kundërshtar përveç disa situatave kur mundoheshin nga goditjet standarde, nuk është se patën diçka tjetër. Sinqerisht jam i lumtur me angazhimin e futbollistëve dhe i përgëzoj për lojën që bënë sot.”

