
Shkëndija është mposhtur në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Maqedonisë nga Struga Trim&Lum me rezultat 1:2, në përballjen e zhvilluar në Tetovë. Kuqezinjtë ishin në avantazh pas pjesës së parë (F. Ramadani 36’), mirëpo gabimet në pjesën e dytë u kushtuan me përmbysje të rezultatit (Upka 54’ dhe Radeski 82’), kështu që në revanshin e 23 prillit shkojmë me negativë minimale.
…ndeshja…
Jeton Beqiri: “Ishte ndeshja e parë që ne e luajmë pa publik, normal është një ndjesi jo normale. Por ne duhet të mësohemi me këtë fakt. Mendoj se nuk merituam ta humbnim këtë ndeshje, duke pa mënyrën si u zhvillua ndeshja. Mund ta quaj ndeshje e gabimeve, kur nga dy gabimet tona, Struga na ndëshkoi dy herë, kurse ne nuk arritëm në maksimum të shfrytëzojmë gabimet e tyre dhe dhuratat që na dhanë në momente të veçanta. Por është ndeshja e parë dhe ekipi që do të kualifikohet do të vendoset në ndeshjen e kthimt.”
…formacioni i kombinuar…
Jeton Beqiri: “Kemi futbollistë të dëmtuar dhe pezullim për Adilin. Kemi lojtarë të cilët sipas matjeve që bëhen nga përgatitësi fizik janë në rrezik për dëmtime dhe ne nuk e kemi luksin të rrezikojmë të humbim shumë lojtarë për një ndeshje, pavarësisht se ne duhet ta respektojmë dhe e respektojmë edhe Kupën. Por e kemi thënë vazhdimisht se target kryesor këtë vit është kampionati dhe shpresoj që ditën e dielë të vazhdojmë serinë pozitive në kampionat.”
…1:2 dhe revanshi në Strugë…
Jeton Beqiri: “Patjetër se ne do të provojmë përmbysjen me gjithë forcat tona. Në atë ndeshje nuk kemi çka të humbim, presioni psikologjik do të jetë te ekipi vendas dhe normalisht se ne do të provojmë kualifikimin në finale.”

