
Shkëndija barazon 1:1 si mysafire e Struga Trim&Lum në ndeshjen e xhiros së 6-të të Ligës së Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut. Tamba (53’) na dha epërsi, derisa Struga barazoi me penaltinë e Radeskit (79’).
…barazimi…
Jeton Beqiri: “Ishte një ndeshje derbi. Ne vimë nga një avanturë e gjatë europiane, ekipi ka lodhje në momente të veçanta, luan ndaj një skuadre që ka pesë fitore dhe ka vetëbesim maksimal. Besoj që në këtë fushë nuk mund të flasish shumë për futboll, në aspektin e futbollit taktik, pasi këtu ka vetëm luftë, vetëm angazhim dhe përplasje dhe ka disa situata që e vendosin takimin.”
…mungoi goli i dytë…
Jeton Beqiri: “Mendoj se ai ishte momenti vendimtar i ndeshjes, pasi nëse realizonim për 0:2, aty do të mbaronte gjithçka, ky është mendimi im, pasi Struga në ato momente nuk do të kishte forcën e reagimit. Pastaj, pjesa tjetër e penalltisë është aksidentale, ku për hirë të vërtetës, mendoj se VAR-i ka dy standarte. Por, ne duhet të jemi të vetëdijshëm, se jemi skuadër më e mirë e kampionatit dhe këtë duhet ta tregojmë në fushë, duke luftuar kundër ekipeve kundërshtare dhe kundër gjithçka tjetër që na del përpara. Më shqetëson situata se me vendosjen e VAR-it, u paraqitën probleme që kanë të bëjnë me standarte të dyfishta. Është një lloj tendence që do ta ndjekim, ku shpresoj se do të largohet, pasi ne kërkojmë që të luajmë pastër, të luajmë në kushte të barabarta dhe normalisht dhe fusha le të jetë ajo që ta jep verdiktin final. Edhe pse këtu nuk kemi të bëjmë me fushë ku mund të luhet futboll cilësor dhe serioz. Këtu ka vetëm goditje dhe duele një me një. Dhe në këto situatë, unë asnjëherë nuk jam i kënaqur me barazimin, besoj që ishim afër fitores sikur të avansonim në 0:2 me rastin e pastër dhe pastaj në fund mundeshim të ndëshkohemi. Por, kjo gjithçka është pjesë e lojës. Duhet të qëndrojmë të fortë, duhet të luftojmë shumë, ta përgatitim skuadrën për ndeshjen e ditës së dielë dhe të bëjmë fitore që gradualisht do të çojnë ekipin drejt vendit të parë.”
…Ibraimi, Cake në bankinë…
Jeton Beqiri: “Të gjithë futbollistët do jenë edhe në bankinë, do jenë edhe në tribunë, për shkak se kemi 26 futbollistë shumë cilësorë, të cilët ne brenda kohës duhet ti menaxhojmë. Unë jam i lumtur se si luajtën dhe si luftoi skuadra, në momente të veçanta mund të tregojmë më shumë kualitet. Mirëpo është normale, në analiza e shohim edhe lodhjen e futbollistëve, edhe në matjet që i bëjmë e shohim lodhjen e futbollistëve dhe vendosëm që në momente të veçant është më mirë që një futbollist të aktivizohet në pjesën e dytë. Është patjetër, pasi nëse duam që mos të na dëmtohen dhe ti mbajmë në formë, atëherë e kemi të patjetërsueshme të bëjmë rotacione të këtij lloji.”

