
Shkëndija koleksionon fitoren numër 6 në kampionat pasi fitoi 2:0 Sileksin në përballjen numër 8-të të Ligës së Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut. Besart Ibraimi (51’) dhe Endrit Krasniqi (90’+2) shënuan golat për triumf në derbin e xhiros.
…fitore e pastërt…
Jeton Beqiri: “2:0 apo 1:0, thjesht ti sjellin tre pikët në këtë moment kur orari i ndeshjeve është i ngjeshur. Mua personalisht më shijon më shumë kur është 1:0, për shkak se ka më shumë adrenalinë, shoh më shumë reagimin e skuadrës, pavarësisht se edhe sot rrezikuam në fund të ndeshjes. Në përgjithësi e rëndësishme është se skuadrës dalë nga dalë po i kthehet zjarri apo ajo dëshira për fitore. Shkëndija për momentin aty e ka problemin, pasi ekipi po mundohet të rikthehet në realitet, të luaj më shumë dëshirë dhe entuziazëm dhe besoj se do të paraqitemi edhe më mirë.”
…Sileksi…
Jeton Beqiri: “Është ekip i mirë, pavarësisht se vinë nga një seri prej dy humbjesh. Kanë një skuadër e cila është e ndërtuar gati dy tre vite dhe normalisht ne luajmë kundër një skuadre që është pretendente për të fituar kampionatin. Dhe kundër këtyre skuadrave që janë ndarë në pjesën lartë të tabelës, e rëndësishme është se si vendas të fitosh. Pastaj si mysafirë nëse arrin të fitosh apo të nxjerrësh barazim me këto kundërshtarë në ndeshje direkte, besoj se do të jemi mirë. Por, unë do të preferoja që ti marrim ndeshjet një nga një, të përgatitemi maksimalisht për çdo ndeshje dhe me kalimin e kohës edhe forma e skuadrës do të fillojë të ngritet për shkak se edhe forma e disa futbollistëve do të jetë më e mirë në krahasim me gjendjen momentale.”
…drejt Madridit me pozitivitet…
Jeton Beqiri: “Normalisht udhëtimi me fitore është një udhëtim shumë më i ëmbël se sa me një rezultat tjetër. Por, ne duhet të jemi realist, duhet të jemi më këmbë në tokë, duhet të përgatitim ndeshjen me Rayo-n ashtu si duhet, duhet të japim maksimumin, ta respektojmë fanellën dhe duhet ti respektojmë të gjithë ata që na mbështesin neve, pasi është një ndeshje luksi sipas mendimit tim dhe duhet ta trajtojmë si të tillë. Unë jam shumë optimist se Shkëndija do të vazhdojë të bëjë paraqitje të mira në vazhdimësi.”

