
Barazojmë 3:3 me Shkupin në xhiron e 29-të të Ligës së Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut. Një pjesë e parë katastrofale nga tanët dhe epërsia 1:3 e miqve na vështirësuan punën, derisa rezultoi ae maksimumi që mundëm të marrim ishte barazimi 3:3. Merzhani (4’) me autogol u dha epërsi mysafirëve, barazuam me të njejtën “monedhë” kur Gueje (6’) shënoi në rrjetë të gabuar, derisa Imeri (17’) dhe Ibishi (38’) çuan shifrat në 1:3. Në të dytën Diene (51’) me autogol dhe Shala (86’) fiksuan rezultatin final.
…barazim pas një pjese të parë katastrofale…
Jeton Beqiri: “Ishim jashtëzakonisht shumë keq. Dmth kur luan për titullin kampion nuk gabohet aq shumë dhe krejt gabimet të ndodhin në një pjesë. U munduam në pjesën e dytë të përmirësojmë diçka, besoj se ishim më mirë, patëm kontrollin e lojës, shënuam edhe dy gola dhe më vjen keq që nuk mundëm të bëjmë përmbysje të plotë.”
…gabon edhe Sileksi…
Jeton Beqiri: “Po me barazimin e Sileksit i bie se ajo që s’fituam ne ishte gjysma e të keqes dhe mbetemi 4 pikë diferencë para rivalit. Duhet të jemi syçelë, kemi edhe 4 ndeshje dhe 4 pikë epërsi nuk është ndonjë diferencë e madhe. Unë dua të jem korrekt me veten dhe me gjithçka që rrethon klubin, me tifozët dhe të them se ky ishte një gabim i patolerueshëm i joni.”
…presioni i lojtarëve…
Jeton Beqiri: “Keni të drejtë kur thoni se komplikojmë, se nga shansi bëjmë aksion dhe se lojtarët ndjejnë presionin e titullit. Por nuk mund ta pranoj se si një ekip që udhëheq kampionatin, një ekipi i cili deri në këtë moment ka treguar më shumë në kampionat, mënyra si pësojmë për një pjesë tre gola është shumë shqetësuese. Kurse çdo gjë tjetër është e kuptueshme, presioni, ekipi kundërshtar, derbi, dëshira për fitore… gjithçka është e pranueshme për mua, përveç mënyrës së pranimit të tre golave brenda një pjese.”
…mbeten edhe 4 ndeshje…
Jeton Beqiri: “Çdo ndeshje deri në fund të kampionatit do të jetë shumë e fortë, me shumë tension për shkak se tani përballen mes veti 5 skuadrat e kreut të renditjes. Kështu që besoj se asnjë ndeshje nuk do të jetë e lehtë, askush para kohe nuk mund të llogarisë se ka fituar pikët. Nëse diçka pozitive ka në gjithë dëshprimin tonë nga rezultati sot është barazimi në shtëpi i kundërshtarit tonë direkt në garën për titull dhe rikthimi jonë pas disavantazhit prej dy golave. Kjo tregon se ekipi ka karakter, por duhet të përmirësohemi shumë në aspektin defanziv.”

