Deklarata | Jeton Beqiri flet pas ndeshjes me Shkëndijën e Haraçinës 

Fitojmë 3:2 duelin e parë gjysmëfinal të Kupës së Maqedonisë së Veriut ndërmjet dy Shkëndijave. Trumçi na dha epërsi 1:0 (4’ penalti), Nuhija (30’) dhe Livereka (43’) përmbysën për avantazh 2:1 të mysafirëve në pjesën e parë, derisa në të dytën Kërstevski (54’) e Meliqi (69’) fiksoi rezultatin final 3:2. Ndeshja e kthimit kuhet më 6 maj, kur do të mësohet ekipi që do të kualifikohet në finale. 

…ndeshja…

Jeton Beqiri: “Mendoj se ndeshja e kthimit në fushë mysafire do të vendosë për kualifikimin, se cila skuadër do të kualifikohet. Ndeshjet e Kupës gjithmonë janë interesante dhe sjellin befasi. Unë nuk jam i befasuar me Shkëndijën e Araçinës, për shkak se kisha mendimin që janë skuadër cilësore. Ne gabuam te rasti i dy golave, domethënë gabuam rëndë. Në një skuadër serioze siç jemi ne, duhet të jemi më të kujdesshëm në këto situata, për shkak se kundërshtari është super i motivuar. Por në përgjithësi më pëlqeu reagimi i skuadrës në pjesën e dytë dhe besoj që gjithçka do të vendoset në ndeshjen e dytë, ku normalisht ne kemi rolin e favoritit, por në futboll gjithmonë duhet të japësh maksimumin, të respektosh kundërshtarin dhe të marrësh rezultatin që dëshiron.”

…pas epërsisë pranojmë 2 gola…

Jeton Beqiri: “Nuk besoj se kishte nënvlerësim. Nuk më pëlqeu mentaliteti i skuadrës dhe disa futbollistë të cilët dëshirojnë të jenë pjesë e Shkëndijës dhe e presin rastin, domethënë duhet të kenë mentalitet tjetër. Ne duhet të marrim përgjegjësi gjithmonë, unë jam ai që marr përgjegjësinë, por Shkëndija është diçka shumë serioze, Shkëndija është skuadër e madhe dhe ta përfaqësosh Shkëndijën nuk është e lehtë. Unë i kuptoj të gjithë, edhe pse e kuptoj edhe situatën që ndodhin gabime gjatë një ndeshje. Unë besoj që është shumë pozitive kjo vërejtja e sotshme që na ndodhi, për shkak se ne duhet të hapim sytë dhe të jemi shumë seriozë si në Kupë ashtu edhe në kampionat, meqë nuk na lejohen gabime apo performanca si kjo e sotmja.”

…inkuadrimi i lojtarvë që u lanë të pushojnë…

Jeton Beqiri: “Sa i përket aktivizimit të lojtarëve ishte plani që të aktivizohen, domethënë që të marrin patjetër ato 30 minuta që të jenë në ritëm garues. Por nuk më pëlqeu skuadra, nuk më pëlqyen as ata që ishin nga fillimi, as ata që u aktivizuan, të them të drejtën. Pavarësisht se ne fituam me një gol diferencë, nuk më pëlqeu loja dhe vetëm më pëlqen se ndoshta në momentin më vendimtar dhe më deçiziv në një lloj mënyre Zoti na tërhoqi vërejtjen që duhet të jemi shumë më seriozë si skuadër. Kjo është e gjitha.”

…serioziteti…

Jeton Beqiri: “Unë mendoj se nuk është se s’ishin seriozë, besoj se është çështje mentaliteti. Unë ju kujtoj se sot ishte ndeshja e 48-të zyrtare e jona. Domethënë ndeshja e dyzet e tetë nga korriku e këtej dhe normalisht që vijnë edhe situata ku haset edhe lodhja, mendoj për lodhje psikologjike, vjen edhe te harxhimi i energjisë. Por mbi të gjitha ne përfaqësojmë një klub që ka ambicie të larta, një klub jashtëzakonisht shumë serioz dhe ne duhet të motivohemi çdo ndeshje. Në qoftë se nuk motivohemi, atëherë vendosim pikëpyetje, për shembull, nëse duhet të jemi këtu apo jo. Kjo është shumë e rëndësishme sa i përket të gjithë neve që përfaqësojmë Shkëndijën. Edhe një përshëndetje për publikun e të dyja skuadrave për shkak se ishin dinjitozë dhe krijuan atmosferë të mirë gjatë gjithë 90 minutave. Unë ua kam cekur futbollistëve ditët e kaluara që ndeshjet e Kupës janë gjithmonë specifike. Normalisht, Shkëndija e Haraçinës nuk është skuadër që ne duhet ta nënvlerësojmë apo ta nënçmojmë, për shkak se ato janë skuadër që janë në kreun e tabelës në Ligën e Dytë të Maqedonisë, dhe kur nuk je me mentalitetin maksimal ndodh që edhe të bafasohesh siç u befasuam në pjesën e parë.”

Share

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

go top