
Xhiroja e 31-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut solli fitore 2:1 të Shkëndijës ndaj Rabotniçkit, duke sjellë edhe mbyllje të garës për titullin kampion dy xhiro para fundit. Latifi (6’) dhe Tamba (33’) shënuan për kuqezinjtë, derisa goli i Daleit (62’) nga penaltia nuk mundi të ndalte triumfin e 19-të këtë sezon. Kështu trajneri Jeton Beqiri fiton titullin e parë kampion në sezonin e tij të parë të plotë në bankinë.
…mbyllet gara për titull…
Jeton Beqiri: “Të gëzuar dhe të çliruar se kanë qenë ditë të rënda, që nga pranvera është një luftë e fuqishme kundër disa skuadrave serioze. Nuk ka qenë e lehtë, por në fund ia vlen edhe vuajtja edhe stresi edhe gjithçka kur kurorëzohet me sukses.”
…Ndeshja me Rabotniçkin…
Jeton Beqiri: “Siç duket, atë që duhet ta bëjmë lehtë, ne e bëjmë rëndë, ashtu na është e shkruar. Por, e rëndësishme është se gjithçka përfundoi mirë, pasi mund të kishte edhe situatë tjetër. Unë jam i kënaqur me ekipin deri te penalltia aksidentale, gjithçka tjetër ishte perfekt, pasi kishim rezultat 2:0, kishim kontroll, kundërshtari nuk kishte goditur asnjëherë portën. Por në futboll ndodhin këto dhe pikërisht për këtë futbolli është i bukur.”
…titulli i parë si trajner…
Jeton Beqiri: “Patjetër se jam shumë i gëzuar, pasi Shkëndija është diçka speciale për të gjithë ne dhe jo vetëm për mua, edhe për ju dhe për të gjithë të tjerët këtu. Është një kënaqësi e veçantë dhe është një çlirim shumë i madh, pasi mund të them me shumë sinqeritet se kam jetuar të gjithë vitin më të vështirë. Nga 11 maji i vitit të kaluar, deri në 7 maj të këtij viti, kanë qenë 361 ditë me një tension të jashtëzakonshëm, pasi ishte shumë rëndë dhe një përjetim shumë i keq. Por shpresoj që Shkëndija të vazhdojë me rezultate pozitive dhe ky klub dhe kjo tifozeri, ky organizim, pronarët gjithashtu, gjithçka që ka të bëjë me Shkëndijën, shpresoj që si tifoz se Shkëndija mos pret asnjëherë 4 vite për të dal kampion, por ndoshta të fitojë aq shpesh sa që vetëm një herë pas çdo katër viteve t’i jep nga një titull ndonjë ekipi tjetër.”

