
Fitorja e 14-të sezonale për kuqezinjtë erdhi pas një goli të Besart Ibraimit (73’), i mjaftueshëm për tre pikë përballë Pelisterin në duelin e xhiros së 23-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut. Shkëndija dominoi takimin dhe kthehet në rrugën e fitores pas dështimit të mesjavës në Strugë, duke marrë fitoren e 4 në 5 ndeshje kampionale në pranverë.
…reagimi pas humbjes…
Jeton Beqiri: “Normalisht pas një disfate gjithmonë është situatë e komplikuar dhe atmosfera nuk ishte më e mira e mundshme. Në këto pak ditë që kishim në dispozicion u munduam të bëjmë maksimumin sa i përket punës dhe u munduam që futbollistët t’i kthejmë sa është e mundur më së shumti në aspektin psikologjik.”
…një gol për tre pikë…
Jeton Beqiri: “Unë e prisja si ndeshje të komplikuar për shkak se Pelisteri është skuadër solide dhe që gjatë gjithë kohës qëndron në mbrojtje, me lojë shumë të mbyllur. Nëse ndodh që nuk arrin të hapësh ndeshjen në pjesën e parë, pastaj gjithçka bëhet e komplikuar. Megjithate jamë i kënaqur se nuk rezikuam mbrapa, krijuam disa raste, një nga të cilat e realizuam dhe besoj se me meritë morëm tre pikët.”
…fitore që na kthen në binarë…
Jeton Beqiri: “Patjetër, edhe aspekti fizik i futbollistëve tanimë sjell lodhje për shkak të shumë ndeshjeve si në Kupë, ashtu edhe në kampionat. Por me rëndësi është se qëndrojmë mirë me pikë. Mua për momentin nuk më intereson shumë vendi i parë dhe situata. Më shumë më intereson arkëtimi i pikëve dhe ne duhet të bëjmë dita ditës maksimumin. Është një kampionat i ngjeshur, nuk ka fitore të lehtë. Skuadrat të gjitha janë serioze, për shkak se edhe lufta për kreun është shumë e fuqishme, gjithashtu edhe lufta për mbijetesë është e fortë dhe ky fakt e vështirëson shumë kampionatin.”

