
Shkëndija dhe Gostivari barazuan pa gola në ndeshjen e xhiros së 18-të të Ligës së Parë të futbollit në Maqedoninë e Veriut, me të cilën u mbyll edhe gjysmësezoni vjeshtor. Kuqezinjtë dominuan dhe krijuan më shumë raste për gol, mirëpo pa arritur të gjejnë rrjetën kundërshtare. Në takimin me media pas ndeshjes, trajneri Beqiri pranoi se këtë ndeshje duhej të kishim fituar dhe barazimi nuk na kënaq si skuadër.
…ndeshja…
Jeton Beqiri: “Mendoj se ishte një ndeshje e fortë kundër një ndër skuadrave më të mira në ligën e Maqedonisë. Përshtypja ime pas ndeshjes është se ne dominuam takimin, besoj se kishim raste të pastërta për të shënuar. Në momente vendimtare na mungoi pak fati e pak edhe gjindshmëria para portës.”
…mos-koncentrim në momentet vendimtare…
Jeton Beqiri: “Patjetër, ishte ndeshje në të cilën dëshira e futbollistëve nuk mungoi. Unë sinqerisht i përgëzoj për angazhimin dhe vrapimin që treguan sot. Ishin në nivel shumë të mirë. Nuk është e lehtë të luhet ndeshje si kjo në një stadium të ‘ftohtë’ dhe pa tifozë. Megjithatë motivimi dhe angazhimi i futbollistëve nuk mungoi. Tani sa i përket realizimit të rasteve, futbollit është ashtu, ndonjëherë realizon, ndodh edhe të humben rastet, por gjithë kjo është pjesë e lojës.”
…kreu me 3 ekipe me nga 37 pikë…
Jeton Beqiri: “Mendoj se gara për titull do të jetë shumë e fortë. Ashtu si që ishte vitin e kaluar ndërmjet tre ekipeve, këtë sezon mendoj se do të jenë 5 skuadra konkurente dhe kjo do e vështirësojë akoma më shumë garën. Por unë besoj se kjo gjë është mirë për kampionatin edhe për ne si ekip. Besoj se me përgatitje të mira në pranverë ne do të jemi skuadër më e fortë se sa që ishim në gjysmësezonin vjeshtor.”
…titulli kthehet në Tetovë…
Jeton Beqiri: “Besoj që do ekipi do të freskohet, për shkak se gjysmësezoni pranveror është pak më i shkurtë se pjesa vjeshtore. Besoj se do të kemi ekip që do të jetë më kompetitiv, jo në aspket të futbollistëve që kemi, por me përgatitjet që do të bëjmë besoj se niveli i secilit futbollist do të jetë më lartë dhe shpresoj që ekipi do të performojë akoma më mirë dhe disa momente uroj edhe fatin ta kemi me ne.”

