
Dy ndeshje me radhë barazojmë pa gola, pasi njejtë si me Sileksin edhe sot në Shtip me Tikveshin e Kavadarit luajtëm 0:0. Pas ndeshjes trajneri Jeton Beqiri pranoi shqetësimin për pjesën e parë shumë të dobët, derisa shton se fati s’ishte me ne në vazhdim kur dominuam dhe shkuam fare pranë triumfit.
…barazimi…
Jeton Beqiri: “Zhvilluam një pjesë të parë shumë të dobët dhe një pjesë të dytë kur ishim në nivel shumë të mirë, por në momente të veçanta nuk u shfrytëzuan rastet të cilat i krijuam. Ndeshje e fortë kundër një ekipi cilësor, pavarësisht pozitës momentale në tabelë. Keqardhje kam për pjesën e parë shumë të dobët.”
…dy ndeshje me radhë s’shënojmë…
Jeton Beqiri: “Më shqetëson fakti se nuk shënojmë, poashtu na shkon huq nga një pjesë e ndeshjes si në Kratovë me Sileksin, ashtu edhe sot në Shtip, dmth luajmë shumë dobët në pjesën e parë.”
…Kërstevski na dha freski, por fatkeqësisht doli i dëmtuar…
Jeton Beqiri: “Plani i stafit ishte që Vane (Kërstevski) dhe Fitoni (Ademi) të inkuadrohen në pjesën e dytë për shkak se ishin me ekipin përfaqësues gjatë gjithë kësaj kohe dhe me ekipin tonë kishin vetëm një seancë stërvitore. E kishim me rëndësi të fitojmë freski me ta në pjesën e dytë, ndërsa shkaku i mungesave të Trumçit dhe Kocevit (pezullime shkaku i kartonave të kuq) ishin të detyruar që Reshat Ramadanin ta luajmë si mbrojtës i krahut të djathtë, detyrë e bëri shumë mirë. Shpresoj që dëmtimi i Vane Kërstevskit të jetë i natyrës së lehtë, shpresoj dhe i lutem Zotit mos të jetë diçka më serioze edhe pse në bazë të gjendjes momentale duket se nuk është dëmtim i lehtë.”

