
Tjetër barazim për kuqezinjtë, i 6-ti këtë sezon dhe i 3-ti me rezultatin 0:0. Kësaj rradhe nuk shkuam përtej ndarjes së pikëve në transfertën me Rabotniçkin, duke lëshuar rastin të ngjitemi në pozitën e parë. Trajneri Beqiri nuk ka fshehur dëshprimin që s’fituam, mirëpo potencon se sot skuadra kishte shumë probleme me formacionin shkaku i mungesave të Ibramit, Ahmedit, Ademit e Bambas.
…barazimi…
Jeton Beqiri: “Ndeshja ishte e luftuar, ne në fushë dominuam dhe krijuam disa raste të cilat në ndeshje si kjo ku rivali është orientuar në mbrojtje totale, duhet të shfrytëzohen për të arkëtuar tre pikët. Ne nuk arritëm t’i shfrytëzojmë edhe pse besoj se ekipi dhe futbollistët dhanë maksimumin. Për momentin jemi të kufizuar për mungesën e shumë sulmuesve dhe sot kaq mundëm të bëjmë.”
…me kaq mungesa te ne, Rabotniçki mbrohej…
Jeton Beqiri: “Ka dy sqarime për këtë çështje. E para ështe se Rabotniçki kështu luan ndaj secilit rival, me dallimin që e kam parë vetë se ndaj skuadrave tjera kanë krijuar më shumë se sot kundër neve. Kurse e dyta, sa u përket mungesave, ne kemi mungesa në të njejtin repart dhe gjithashtu Vane Kërstevski akoma s’është 100% i gatshëm dhe detyrohemi ta përdorim pa u rikuperuar mirë nga lëndimi. Me një llogari të thjeshtë na mungojnë 5 lojtarë nga reparti i sulmit. Por ne nuk u dorëzuam, sulmuam dhe kontrolluam gjithë kohën, por nuk ishim sa duhet vigjilent para portës në rastet që krijuam.”
…në këto kushte barazimi i pranueshëm?…
Jeton Beqiri: “Të them të drejtën unë asnjëherë nuk jam trajner që luaj për barazim. Kurrë prej para fillimit të ndeshjes nuk e kam synim barazimin. Por neve na u bënë shumë barazime, kryesisht duke dominuar dhe duke pasur më shumë raste se kundërshtari. Barazimet e shpeshta ndonjëherë janë edhe shqetësuese, mirëpo ata që shohin lojën, ata që kanë informacion për Shkëndijën besoj se e kanë të qartë se ne nuk futemi për barazim në asnjë lojë dhe nuk sillemi ashtu në terren. Përkundrazi, ne dominojmë, sulmojmë, por në momente të veçanta na duhen futbollistë që rastin e krijuar do ta finalizojnë me gol, ose në situata kur gjendemi pranë portës 20-30 metra të gjejnë mënyrë më mirë të finalizojmë.”

