
Shkëndija kthehet të fitojë pas tre barazimeve rresht në kampionat, duke mundur 2:1 Besën e Dobërdollit në duelin e xhiros së 12-të të Ligës së Parë të futbollit në Maqedoninë e Veriut. Florent Ramadani (14’) dhe Besart Ibraimi (23’) shënuan golat për triumf të gjashtë sezonal, duke bërë të pavlefshëm realizimin e Velijas (32’) për Besën.
…ndeshja…
Jeton Beqiri: “Pas tre barazimeve neve na na duhej fitorja dhe presioni ishte i pranishëm. Kemi edhe futbollistë jashtë (lëndime) dhe humbim tjerë futbollistë gjatë ndeshjes, por kalendari i ndeshjeve është i ngjeshur dhe ne edhe i kemi pritur këto problematika. Futbolli për atë është i bukur, sepse është i paparashikueshëm dhe për sot rëndësi kishte vetëm fitorja.”
…dëmtimet e Ibraimit dhe Ademit…
Jeton Beqiri: “Patjetër se na shqetësojnë dëmtimet. Bëhen shumë ndeshje në hapsirë të shkurtë kohore dhe pastaj vjen deri te shtërngimet dhe lëndimet muskulore. Më herët humbëm Vane Kërstevskin, i cili rikthehet në stërvitje dhe së shpejti do të bashkangjitet të punojë me grupin. Valon Ahmedi gjithashtu është i humbur për një kohë, pastaj edhe sulmuesi tjetër Bamba që mungon më gjatë dhe duhet t’i nënshtrohet intervenimit. Janë gjëra që ndodhin në futboll, ne duhet të jemi të gatshëm me futbollistët që kemi të japin maksimumin dhe unë shpresoj që kjo fitore të na shërbejë si një çlirim për ndeshjet e ardhshme.”
…ndryshim sistemi nga 4-4-2 në 4-2-3-1 (4-3-3)…
Jeton Beqiri: “Në fakt sot ishim 4-3-3 më shumë, për shkak se kishim një futbollist para mbrojtjes dhe krejt qëllimi ishte që problemet që kemi evidentuar në ndeshjet e kaluara në mesfushë, e kishim të rëndësishme të shtojmë një futbollist në mesfushë dhe në atë aspekt i’a arritëm deri diku. Filluam mirë dhe pastaj morëm një dhuratë nga ekipi kundërshtar (goli i dytë), por u’a kthyem dhuratën pasi gabuam duke pasur posedimin e topit. Një ekip serioz nuk duhet të lejojë që kundërshtari të kthehet në lojë në këtë mënyrë, për shkak se ishte shumë herët momenti që pranuam gol me shumë minuta deri në përfundim të ndeshjes. Por fundja kështu zhvillohen edhe karakteret. Të jemi të sinqertë ne jemi në krizë të lojës e mbi të gjitha të lodhjes si skuadër. Kemi futbollistë që nuk kanë kaluar fazë përgatitore dhe tani hasin vështirësi dhe katër futbollistë që rregullisht luajnë standard me përfaqësuesen U21 dhe U19, zhvillojnë ndeshje me intensitet dhe kur kthehen vijnë të lodhur derisa ne duhet t’i përdorim dhe e dinim se mund të gjendeshim në këto situata. Por për hirë të së vërtetës ne kemi fond lojtarësh dhe secili futbollist që ka punuar me seriozitet tani do ketë mundësi aktivizimi dhe jam i mendimit se i kemi shanset të vazhdojmë me rezultate pozitive.”

