
Me fjalë mirënjohjeje dhe krenarie për rrugëtimin e përbashkët, Jeton Beqiri mbyll kapitullin e tij në stolin kuqezi, duke falënderuar të gjithë ata që ishin pjesë e këtij udhëtimi.
- Beqiri: Krenar që udhëhoqa Shkëndijën në momente kyçe dhe që isha pjesë e këtij rrugëtimi
- Beqiri: Peng më mbetet Kupa, derisa kampionati i fundit ishte garë e pabarabartë
- Beqiri: Falënderim i veçantë për lojtarët që dhanë maksimumin dhe kryesinë për besimin e treguar
- Beqiri: Tifozëve “Ballistët” u uroj që shumë shpejt t’i gëzohen trofeve të rradhës
Pas përfundimit të rrugëtimit në krye të pankinës kuqezi, Jeton Beqiri është prononcuar për herë të fundit si trajner i Shkëndijës, duke falënderuar klubin, lojtarët dhe tifozërinë për bashkëpunimin gjatë kësaj periudhe.
….falënderimi për klubin dhe bashkëpunëtorët…
Jeton Beqiri: “Dua të shfrytëzoj këtë mundësi për të falënderuar publikisht të gjithë ata me të cilët ndava këtë eksperiencë. Falënderoj kryesinë e klubit, pronarin z. Lazim Destani, familjen e tim dhe kompaninë Ecolog për besimin që më dhanë për të udhëhequr skuadrën në momente kaq të rëndësishme. Ishte një nder dhe përgjegjësi e madhe të isha në krye të Shkëndijës.”
…mirënjohja për futbollistët…
Jeton Beqiri: “Një falënderim nga zemra shkon për të gjithë futbollistët. Ata ishin protagonistët kryesorë në fushë, punuan me përkushtim të madh dhe sakrifikuan në çdo ndeshje për ngjyrat e këtij klubi. Jam krenar për karakterin dhe profesionalizmin që treguan gjatë gjithë kësaj periudhe që punuam bashkë. Fituam titullin kampion, në Evropë ishim të jashtëzakonshëm, duke kaluar në play-off të Conference League. Peng këtë vit e kam humbjen në finale të Kupës, derisa sa i përket kampionatit, ka qenë një sezon të pabaratë në garën për titull dhe këtë që them jam i gatshëm ta argumentoj para secilit.”
…mesazhi për tifozët dhe të ardhmen…
Jeton Beqiri: “Së fundmi, por jo më pak të rëndësishmit, dua të falënderoj tifozët tanë të mrekullueshëm, ‘Ballistët’, dhe mbarë opinionin sportiv në Tetovë për mbështetjen e pakursyer. Klubit të Shkëndijës i uroj suksese të shumta në të ardhmen dhe shpresoj që shumë shpejt të kthehen te trofetë, sepse ky qytet dhe këta tifozë e meritojnë.”

