Deklarata | Debutimi i Artim Pollozhanit, Shkëndija me “manita” ndaj Europa FC

Trajneri Artim Pollozhani ka debutuar me një fitore të madhe në ndeshjen e tij të parë zyrtare në stolin e kuqezinjve. Shkëndija triumfoi me një rezultat të pastër 5:0 ndaj Europa FC në Gjibraltar, në kuadër të xhiros së parë eliminatore të UEFA Conference League. Seria e golave nisi në minutën e 28-të me Ndzenguen, ndërsa në pjesën e dytë Tamba shënoi dy herë (52’, 75’). Almir Kryeziu shënoi golin e tij të parë si debutues në minutën e 83-të, para se Besart Ibraimi të vuloste fitoren e thellë pesë minuta më vonë. Pas ndeshjes, trajneri Pollozhani doli përpara mediave për të komentuar këtë paraqitje.

…pritshmëritë dhe analiza e ndeshjes…

Artim Pollozhani: “Patjetër që e prisnim një ndeshje të vështirë, por që në momentin që rezultati është i tillë, duhet t’i përgëzoj çunat për rezultatin e thellë. Patjetër që brenda lojës ka problematika të ndryshme që ne duhet me patjetër që t’i korrigjojmë, sepse do na duhen për vazhdimësi. Kjo fitore na shërben pikërisht për këtë vazhdimësi, për moral, edhe që të na ndihmojë pastaj në atë rrugëtimin tonë, duke u kthyer te pyetja, që duam të shkojmë sa më gjatë në Kupat e Evropës.”

…përsëritja e suksesit evropian…

Artim Pollozhani: “Ne duhet të provojmë që ta përsërisim atë sukses, sepse është jashtëzakonisht i bukur kur përsëritet. Që do të thotë, duhet të japim maksimumin që të mos rrijmë në atë nivel që kemi kapur një herë Kupat e Evropës ose grupet në Conference League, edhe të vazhdimë në atë nivel dhe të kënaqemi me aq. Patjetër që duam që ta përsërisim, sepse siç e thashë është jashtëzakonisht e bukur nëse përsëritet, si për klubin, ashtu edhe në përgjithësi për futbollin e Maqedonisë.”

…komoditeti i rezultatit 5:0 për ndeshjen e kthimit…

Artim Pollozhani: “Nga ana psikologjike është një rezultat që na jep komoditetin që edhe ndeshjen e kthimit të jemi me një impakt jashtëzakonisht të rëndësishëm. Përsa i përket ndeshjes si ndeshje, unë mendoj që ka pasur gabime plot që ne duhet me patjetër që t’i korrigjojmë. Duke hequr petkun e rezultatit, ka pasur gjëra, për shembull manovra, që e kemi me patjetër t’i korrigjojmë sepse do na duhen pastaj për vazhdimësi. Duke pasur parasysh pastaj edhe vështirësinë e barit sintetik, unë mendoj që nga ana morale do na vlejë jashtëzakonisht shumë. Nga ana e asaj që çunat dhanë maksimumin, por duke u futur pastaj në analizë për ditën e nesërme, ato gabime që kemi bërë është me patjetër që t’i korrigjojmë.”

…debutimi personal, fitorja e thellë dhe lojtarët e rinj…

Artim Pollozhani: “Përsa i përket aspektit personal, patjetër se emocionet për këtë klub janë të larta. Unë jam i lumtur që fitoren e parë në Kupat e Evropës e marr praktikisht me klubin tim të zemrës. Edhe dua që kjo ëndërr të vazhdojë akoma. Tani, përsa i përket lojtarëve, jam jashtëzakonisht i lumtur sepse pjesa e sulmit të gjithë shënuan gola, edhe kjo do na shërbejë për vazhdimësinë. Përsa i përket prapë atyre lojtarëve që tani kanë ardhur, paraqitje pozitive e të gjithëve që debutuan, sepse patjetër që është mjedis tjetër, është ambient tjetër, edhe duhet përshtatje.”

Share

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

go top