
Shkëndija ka arritur një përmbysje të madhe në Shkup duke mposhtur NK Bravo me rezultat 3:1 (rezultati total 4:3) dhe duke siguruar kualifikimin për në raundin e tretë kualifikues të UEFA Conference League, ku do të përballet me skuadrën skoceze Hibernian. Pas këtij suksesi, trajneri Artim Pollozhani dha analizën e tij mbi lojën, manovrën taktike dhe qasjen e skuadrës.
…vlerësimi i ndeshjes dhe eliminimi i pikëve të forta të kundërshtarit…
Artim Pollozhani: “Unë mendoj që ishte një ndeshje e rëndësishme, por që e manovruar jashtëzakonisht mirë nga lojtarët tanë. Dhe për të duhet t’i përgëzoj lojtarët, sepse është merita e tyre. Nuk ishte e lehtë nga fakti që kishim një kundërshtar që mbyllet në bllokun e dytë edhe pret për tranzicione pozitive. Këtë armë të fortë të tyre unë mendoj që e eliminuam në aspektin e asaj që kishim tranzicione të forta negative, kështu që dolëm praktikisht tek ndeshja jonë edhe unë mendoj që kjo është meritë plotësisht e futbollistëve.”
…pika kyçe e rikthimit dhe aspekti psikologjik i lojës…
Artim Pollozhani: “Në anën psikologjike është mjaft e rëndësishme tek lojtarët. Domethënë, në momentin që ti krijon raste dhe goditesh me një rast të kundërshtarit, siç kanë bërë edhe ndeshjen e parë në Slloveni, atëherë ana psikologjike bie. Por që unë jam mjaft i kënaqur, apo jashtëzakonisht i kënaqur, me reagimin pastaj. Sepse normalisht që ti mund të ndëshkohesh me një gol që mund të jetë aksident, mund të jetë nga goditje standarde, por që ajo që më pëlqeu, për shembull, është marshi që nuk e ulëm. Domethënë, ai ritmi që nuk e ulëm edhe ne tentuam gjatë gjithë kohës. Edhe pjesën e parë kishte raste, kishte situata që ishin 4 me 2 që mund të finalizoheshin, por që unë prej ditës së parë që kam ardhur këtu e kam deklaruar që ne do të luajmë futboll të hapur, futboll me raste. Dhe kjo që ne kërkojmë, këtë djemtë sot e bënë. Pavarësisht që humbëm raste, por në momentin që ti prodhon, prodhon, prodhon raste, nuk ka ku shkon më goli. Praktikisht mund të vijë minutën e 15-të, mund të vijë minutën e 30-të, mund të vijë minutën e 70-të, e mund të vijë siç erdhi goli i tretë në minutat e fundit. Kjo është meritë plotësisht e djemve.”
…kundërshtari i mundshëm në raundin e tretë…
Artim Pollozhani: “Nuk e di… Domethënë, për hir të respektit që kam për kundërshtarin që po luan, nuk do ta komentoj sepse pres që të mbarojë ndeshja. Në momentin që do të mbarojë ndeshja, atëherë fillojmë ne analizën e kundërshtarit. Domethënë, respekt për kundërshtarin që luan me Hibernian-in, nuk ka mbaruar… ndoshta nuk është mbyllur akoma ndeshja, por që i gjithë fokusi ynë ka qenë te kjo ndeshje. Praktikisht ne i marrim një nga një, kush vjen e radhës. Nga nesër ne do mendojmë për kundërshtarin që ju thoni që mund të jetë Hibernian. Domethënë, fokusi ka qenë i gjithi te ndeshja e Bravo-s. Nesër është ndeshja tjetër e radhës që duhet të analizohet edhe duhet të punohet se në cilën manovër do luajmë me atë kundërshtar.”
…shpërdorimi i rasteve, pranimi i golave dhe karakteri i skuadrës…
Artim Pollozhani: “Ne kemi një shprehje tek aspekti psikologjik që quhet: ne me patjetër e kemi të ndërtojmë një mentalitet fituesi. Tani, nëse kthehesh tek rastet, patjetër që nuk është problematike kur ti prodhon. Problematike janë pastaj ato raste që të finalizohen, edhe kjo na mbetet ne pastaj, stafit teknik, që të punojmë te ky segment. Por, ajo që mua nuk më pëlqeu edhe që mund të evitohet është pranimi i golit. Ne, po ta shohësh, të tre golat me Bravo-n ne i kemi pranuar jashtëzakonisht lehtë. Edhe kjo gjë më shqetëson, edhe siç thashë, te finalizimi duhet të punojmë, e kemi me patjetër edhe të punojmë te kjo pjesë sepse nuk jemi të fortë në dyluftime. Kështu që ndonjëherë futbolli është edhe përplasje, e atë pjesë nuk e kemi. Mbase nga ajo që ne tentojmë të luajmë futboll edhe prej poshtë, edhe me raste, por që këtë pjesë, cinizmin e kësaj loje e kemi me patjetër ta rregullojmë.”
…rëndësia e zëvendësimeve dhe paraqitja e Gjorgjievskit e Ndzengues…
Artim Pollozhani: “Që të merremi vesh, Ndzengue ka bërë super paraqitje me ato detyra që ne i kemi dhënë. Domethënë, në momentin që ne kërkojmë një tip loje që të kapim thellësinë edhe të luajmë me presionin tonë e me tranzicione, Ndzengue e bëri shumë mirë punën. Unë mendoj që ishte fat i keq i tij që nuk shënoi. Por, nga ana tjetër, po t’i shohësh kronologjinë e ndeshjeve në Evropë, ne na kanë bërë punë jashtëzakonisht shumë ndërrimet. Kështu që ky plus bën pjesë tek ai mentaliteti i fituesit, sepse në momentin që ti ndërron, patjetër që ideja e stafit është që të ndryshojë diçka në lojë. Edhe këtë po na e bëjnë jashtëzakonisht lehtë ndërrimet që bëhen ose lojtarët. Sot ishte Gjorgjievski, po të kthehesh tek Evropa më herët ishte Tamba me Kërstevskin, kështu që mendoj që jemi në rrugë të mbarë. Por, kjo ka mbaruar sonte. Domethënë ne prej nesër duhet të përqendrohemi për kundërshtarin e radhës, sepse do të jetë kundërshtar i vështirë edhe e kemi me patjetër që fokusi të jetë 100%.”
…mesazhi i Shkëndijës në kupat e Evropës…
Artim Pollozhani: “Sigurisht që unë mendoj që Shkëndija në Kupat e Evropës gjatë gjithë kohës ka dërguar mesazhe. Kështu që edhe kjo është një… Por sot ishte me përmbysje, ishte e bukur se ishte me përmbysje. Por duhet të them që ne nuk duhet të ndalemi këtu, sepse mbaroi Bravo, e tani është përqendrimi tek kundërshtari tjetër. E përsëris edhe njëherë që më pëlqeu jashtëzakonisht shumë mentaliteti i fituesit i djemve sot, edhe kjo është plotësisht meritë e tyre.”
…mbështetja e tifozëve dhe prania në stadium…
Artim Pollozhani: “Patjetër. Unë dua t’i falënderoj të gjithë ata që ishin të pranishëm sot, të gjithë ata që na mbështetën, patjetër edhe “Ballistët”, sepse ata unë i përmenda edhe dje, janë me ne në çdo ndeshje. Por edhe pjesa tjetër e publikut na ka mbështetur jashtëzakonisht shumë. Neve na mbetet t’ua kthejmë me ndeshje të bukura. Tani, çështja e këtyre biletave pa pagesë mendoj që nuk më takon mua, por them se klubi ka bërë një gjest të mrekullueshëm. Shpresoj që të vazhdojë, është kohë pushimesh, por që prezenca ishte e kënaqshme duke pasur parasysh që edhe është larg nga Tetova. Por unë e thashë edhe dje e përsëris edhe sot, që Shkëndija nuk ka tifozë vetëm në Tetovë, ka edhe në qytete të tjera tifozë.”
…krenaria e drejtimit të Shkëndijës në Evropë…
Artim Pollozhani: “Patjetër. Edhe në intervistën e parë që kam dhënë, kam thënë se për mua është krenari, është kënaqësi, është diçka e madhe që drejtoj këtë ekip. Edhe sidomos një ekip që vitet e fundit, tashmë disa vite që dominon në Kupat e Evropës. Edhe unë mendoj që është pozitive për futbollin në përgjithësi në Maqedoni, sepse një përfaqësues që vazhdon garat, kjo është e mirë edhe për klubet tjera, si dhe për futbollin në përgjithësi në Maqedoni. Për mua, po e përsëris edhe njëherë, është kënaqësi, është nder që drejtoj një ekip siç është Shkëndija.”
…ndikimi i rezultateve të Shkëndijës në koeficientin e futbollit vendor…
Artim Pollozhani: “Kjo është pozitive, domethënë sepse në momentin që ka përfaqësues në Kupat e Evropës siç ju e cituat që janë katër nga sezoni i ardhshëm, kjo është pozitive patjetër për futbollin vendor, sepse Kupat e Evropës janë specifikë tjetër. Janë ndeshje që praktikisht kanë një ritëm tjetër edhe e ndiejnë futbollistët që është me të vërtet kënaqësi të jesh aty. Patjetër që është edhe obligim sepse luajmë me kundërshtarë që janë nivele të larta, por që e përgjithshmja është pozitive edhe ne jemi të lumtur që kontribuojmë me këto Kupa të Evropës që futbolli vendor të ngrihet.”

