
Shkëndija ka vazhduar ecurinë e përsosur në kampionat duke mposhtur Bregallnicën me rezultat bindës 4:1 në kuadër të xhiros së tretë në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut (LPFMV). Kuqezinjtë mbajnë efektin 100% me 3 fitore nga 3 ndeshje, duke u ngjitur në kuotën e 9 pikëve për të marrë kreun e renditjes. Golat për Shkëndijen u realizuan nga Trumçi, Krasniqi, Ndzengue si dhe Zejnullai nga pika e bardhë, ndërsa golin e vetëm për mysafirët e shënoi Stojanov.
…efekti 100% fitore…
Artim Pollozhani: “Po, patjetër që jam i kënaqur. Sigurisht 9 pikë nga tre ndeshje, duke futur këtu edhe derbin, është rezultat i kënaqshëm. Unë mendoj që kjo është meritë totalisht e çunave sepse kanë bërë një ndeshje të mirë edhe sot. Nuk do t’i hyja interpretimit sepse vijmë nga një ndeshje kur ditën e enjte djemtë dhanë gjithçka në fazën e sulmit, kështu që vështirësitë diheshin, por që e kemi me patjetër të vazhdojmë sepse vazhdimësia është shumë me rëndësi.”
…mungesa mbrojtësve të qendrës dhe debutimii i të riut Abdurahmani…
Artim Pollozhani: “Jam i kënaqur, patjetër se jam i kënaqur. Kuptohet se nëse do i kishim qendërmbrojtësit titullar do na bënin pak më lehtë, por edhe këto që luajtën ishin në nivell. Më vjen mirë për Gashin (Anes Abdurahmani) që debutoi sot edhe kishte paraqitje për mua jashtëzakonisht të mirë. Kështu që mendoj se kemi fituar një çun të ri nga akademia që patjetër se ne i kemi sytë edhe atje. Por që presim që të na kthehen të dëmtuarit, pasi kur je i kompletuar sigurisht edhe manovra edhe interpretimi mund të jetë më i mirë. Ajo që është me rëndësi është mentaliteti fitues, sepse vështirësitë ishin, çunat kanë humbur jashtëzakonisht energji në ndeshjen me Hibernianin, por që tregojnë karakter dhe ky karakter solli shpërblim një fitore që unë mendoj se ishte totalisht e merituar edhe nga çunat.”
…humbja e ritmit në momente…
Artim Pollozhani: “Ajo që është bindëse ok, 4:1, por në momentin që ke ndryshime të shumta në formacion, patjetër që bie manovra. Nuk ke lëvizjet e duhura sepse po të shohësh me kundes, jo të gjithë ato lojtarë kanë luajtur me njëri-tjetrin. Në momentin që bie manovra patjetër që ka edhe momente që nuk je mirë. Por ajo që ka rëndësi është karakteri. Karakteri është i rëndësishëm sepse na ndihmon pastaj për vazhdimësinë. Nuk mendoj që mund të ketë ndonjë ndikim eliminimi nga Europa, por unë mendoj edhe jam i bindur se në momentin që ke ndryshime në grup, patjetër pak manovra bëhet më e vështirë.”
…fokusimi te kampionati vendor…
Artim Pollozhani: “Patjetër që është akoma herët, patjetër që ka ekipe që mund të shkaktojnë probleme gjatë rrugës, por ajo që është me rëndësi është ky fillim i kampionatit, duke parasysh që ne gjatë gjithë kohës ditët e enjte kemi luajtur në Kupat e Evropës. Tani nga një kompeticion nuk jemi, fatkeqësisht sepse e tentuam edhe atë për të luajtur në play-off. Tani ato energji që ne humbim edhe me udhëtime edhe me ndeshje të Kupave të Evropës, tani besoj dhe shpresoj që t’i rikuperojmë. Shpresoj edhe këto lojtarë të lënduar që i kemi të na kthehen edhe unë mendoj që jemi në rrugën e duhur, por që duhet të jemi me këmbë në tokë sepse akoma është fillimi dhe patjetër që ka rrugë përpara akoma.”

