
Shkëndija vazhdon ecurinë e përsosur në kampionat duke marrë fitoren e katërt radhazi, pasi mposhti Struga Trim&Lum me rezultat 2:1 në kuadër të xhiros së katërt në LPFMV. Ndzengue zhbllokoi rezultatin në minutën e 29-të, ndërsa mysafirët barazuan përkohësisht me Maleskin nga penalltia në minutën e 59-të. Fitoren dhe tri pikët e reja kuqezinjve ua siguroi Besart Ibraimi po nga pika e bardhë në minutën e 86-të. Me 12 pikë të plota nga katër ndeshje, Shkëndija kryeson e vetme tabelën e kampionatit.
…4 ndeshje, 4 fitore…
Artim Pollozhani: “Duke parasysh se çfarë mund të bëjnë këto lojtarë që ne kemi në ekip, mendoj që mundet akoma më shumë. Tani, sa i përket rezultatit, unë jam dakord me ty që kemi 4 me 4, por që te interpretimi nuk më pëlqeu ai fillimi i pjesës së dytë, me thënë të drejtën, sepse u futëm me një panik që nuk e kuptova pse, që nuk është stili jonë ose loja jonë ajo që duam. Por që ndonjëherë ekipet e mëdha edhe në vështirësi marrin rezultat pozitiv. Është ai mentaliteti i fituesit që unë e përmend disa herë edhe tek çunat, që ekziston te këto lojtarë dhe normalisht që i lumtur për rezultatin. Patjetër që kemi punë për të bërë, patjetër që ka pasur mungesa, por që unë do t’i falënderoj këto çunat që dhanë sot maksimumin sepse nuk është e lehtë. Struga është një ekip që e kemi konkurrencë, Struga është një ekip që ka lojtarë cilësorë brenda në ekip, kështu që u bë e vështirë pak, por hiq ato 20 minutat e fillimit të pjesës së dytë, në përgjithësi si manovër, si interpretim, jam i kënaqur.”
…përballje ndaj klubit nga qyteti i tij i lindjes…
Artim Pollozhani: “Me thënë të drejtën nuk është se kisha ndonjë emocion. Patjetër që unë emocionet i kam tek Shkëndija, sepse këtu kam kaluar një pjesë të madhe të karrierës. Sigurisht që e respektoj klubin e qytetit tim, ata vitet e fundit kanë bërë mirë në futbollin e Maqedonisë, por që unë them se nuk kisha emocione, thjesht isha i përqendruar tek ndeshja, te manovra jonë, te interpretimi jonë. Sepse megjithatë ishte e vështirë pasi disa lojtarë që janë pjesë e formacionit mungonin, por do e përsëris edhe njëherë që jam jashtëzakonisht i lumtur me këto që dhanë maksimumin sot sepse nuk ishte e lehtë.”
…menaxhimi i mungesave…
Artim Pollozhani: “Ajo që është pozitive është që këto lojtarë që praktikisht futen, që në thonjëza ndoshta nuk janë titullarë, them që nuk i dihet, në futboll nuk ka titullarë ose jo titullarë, kjo është ajo që ne e quajmë manovër. E kanë kapur këtë manovër edhe interpretimi është i njëjtë. Tani sigurisht që po t’i kishim edhe këto lojtarë që ju e përmendët që ishin mungesa të rëndësishme, mund të ishte interpretimi akoma më i lehtë, por kjo është realiteti dhe ne patjetër që do të përballemi me këtë. Është pozitive shumë kjo që japin, si 17-vjeçari Abdurahmani, që unë mendoj që me lojërat që po bën duket si një lojtar me eksperiencë. Besoj që nëse edhe pak arrijmë ne si staf që t’ia rrisim fizikun, unë mendoj që mund të jetë një potencial i ardhshëm i klubit.”
…fusha ideale dhe ndeshja me drita…
Artim Pollozhani: “Ajo që unë dua t’u jap si porosi lojtarëve është të jemi me këmbë në tokë. Gjatë çdo dite në stërvitje të rritemi, sepse futbolli është proces. Çdo ndeshje të rritemi, ta rrisim atë që e kemi përmendur disa herë, ritmin e lojës. Sepse patjetër që nëse ritmi rritet edhe manovra është aty ku ne duam të jemi, atëherë nuk besoj se mund të kemi probleme. Por megjithatë duhet të jemi me këmbë në tokë, sepse pavarësisht se ne kemi katër ndeshje e katër fitore, kampionati është maratonë dhe është i gjatë. Kështu që duhet të jemi me këmbë në tokë si lojtarët, ne stafi, patjetër edhe drejtuesit. Sa i përket kushteve, patjetër që është e pashmangshme mos e themi se ke një fushë që të lejon të luash dhe nëpërmjet projektorëve me një freski. Duhet t’i falënderoj tifozët që sot ishin prezentë, sigurisht ‘Ballistët’ që nuk e diskutoj që janë, por kishte edhe tifozë të tjerë. Ajo që ne kemi kërkuar prej momentit të parë është fusha, sepse në momentin që ti interpreton dhe ke manovër që ta lejon fusha, atëherë çdo gjë bëhet më e lehtë.”

