
Shkëndija është ndalur me barazim 2:2 në transfertën ndaj Arsimit në kuadër të xhiros së shtatë në Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë së Veriut. Kuqezinjtë krijuan një avantazh të dyfishtë falë golave të Besart Ibraimit në minutën e 18-të dhe Anes Meliqit në minutën e 30-të. Megjithatë, vendasit u rikthyen në lojë duke barazuar me dy golat e Kontrerasit (45’+2 dhe 80’). Pas pesë fitoreve radhazi në start, Shkëndija mbetet pa fitore në dy ndeshjet e fundit, por vazhdon të qëndrojë e para në renditjen e tabelës.
…Shkëndija në krizë rezultatesh…
Artim Pollozhani: “Edhe mund të pranohet ky konstatim i juaji, por që ajo që më shqetëson më shumë është mënyra e pranimit të golave. Domethënë një ekip serioz që pretendon për gjëra të mëdha, unë mendoj që mënyra se si ne i marrim golat është e patolerueshme. Tek goli i dytë nuk mund të them diçka sepse ne tentojmë që ta luajmë topin nga poshtë, por që duhet ta bëjmë me qetësi. Unë mendoj që problematika kryesore është ky pranim i golave, sepse me gjithmend pastaj bëhet edhe më e vështirë. Pastaj kemi diçka tjetër që nuk i finalizojmë rastet tona. Në momentin që luan jashtë fushës tënde e nuk i finalizon rastet 100%, atëherë bëhet e vështirë edhe mund të ndodhë siç ndodhi sot me një gabim që mund të ndëshkohesh.”
…nuk mbyllet ndeshja kur janë mundësitë…
Artim Pollozhani: “Ne praktikisht në 2:0 kishim një rast 100% me Ndzenguen që mund të shkonte 0:3. Pastaj prej një naiviteti të lojtarëve të mi, për shembull që kishim një lojtar të shtrirë edhe ai top duhet të dilte jashtë fushës, ne e falëm praktikisht edhe ndodhi ajo që ndodhi. Tani ne duam ta luajmë topin nga poshtë, kjo nuk diskutohet, por që ka momente për shembull që ajo që nuk më pëlqeu është gabimi, se ka lojtarë me eksperiencë që gabojnë në të tilla raste edhe pastaj normalisht që ndëshkimi edhe mund të vijë.”
…ndikimi psikologjik dhe mungesat në ekip…
Artim Pollozhani: “Po, mund të ndikojë nga ana psikologjike, por që me thënë të drejtën edhe duhet të na rikthehen të gjithë futbollistët, sepse kemi mungesa edhe vjen e bëhet e vështirë. Në momentin që në dy ndeshje nuk ke lojtarë për shembull lojtarë stoli që mund të ndryshojnë ritmin e lojës bëhet e vështirë, por që e kemi me patjetër të ngrihemi sepse nuk ka rrugë apo alternativë tjetër.”

