
Përballja e parë kontrolluese në Slloveni sjell debutimet e angazhimeve të reja në radhët e Shkëndijës.
Fitorja 1:0 e të martës ndaj skuadrës rumune FC Argeș Pitești në ndeshjen e parë miqësore të fazës përgatitore në Slloveni, përveç përformancës pozitive të ekipit, solli edhe paraqitjet debutuese të futbollistëve të afruar gjatë kësaj merkatoje verore.
Mbrojtësit Imran Fetai dhe Numan Ajeti, portieri nga Gambia Baboucarr Gaye, si dhe Mevlan Murati (që rikthehet në fanellën kuqezi pas disa viteve) luajtën për herë të parë këtë verë me fanellën e Shkëndijës.
Fetai, Ajeti dhe Murati ishin pjesë e formacionit titullar duke zhvilluar 45 minutat e para të ndeshjes, teksa pjesën e dytë në portë e mbuloi gardiani gambian, Baboucarr Gaye.
Ky ishte një test i rëndësishëm për stafin teknik, në funksion të ndërtimit të skuadrës para paraqitjes në eliminatoret e UEFA Champions League, ndërsa ndeshja u zhvillua në Zreçe, me kuqezinjtë që dominuan sidomos në pjesën e dytë dhe gjetën rrjetën me golin e Tambës.

